Sulm me tritol në Memaliaj - Kryetari i Njësisë Administrative Qesarat: S'kam konflikte!
Më datë 6 prill 2026, rreth orës 00:10, në oborrin e banesës së shtetasit Burjan Kapa, 67 vjeç, kryetar i Njësisë Administrative Qesarat në Memaliaj, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse, duke shkaktuar dëme materiale.
Autorët, gjatë largimit, dyshohet se kanë djegur automjetin e përdorur në aksin “Krahës–Memaliaj”, pranë fshatit Qesarat, dhe më pas janë larguar në këmbë.
Në një deklaratë për Syri TV, Burjan Kapa u shpreh se: “Këtë situatë nuk e shpjegoj dot, nuk di ç’të them. Asnjë kontradiktë s’kam me asnjërin. Në ora 12:30 kaloi një makinë, e ka kapur nga kamerat. Hodhi lëndë plasëse, që është shumë e fuqishme. Po u dogjën… u bëri dëme rreth shtëpisë. S’kam asnjë kontradiktë me asnjërin.”
Autoritetet vijojnë hetimet për identifikimin e përgjegjësve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes.