Rama dhe Mitsotakis përballë korrupsionit: dy modele që tregojnë shumë...

Ditët e fundit, fqinji ynë jugor po përballët me një skandal korrupsioni që ka trazuar pushtetin dhe politikën në tërësi, ç’ka edhe ka çuar në shkarkimin e 3 ministrave të kabinetit Mitsotakis nga postet e tyre.

Zhvillimet në Greqi dhe reagimi institucional i Athinës ndaj një skandali të madh korrupsioni, janë vetvetiu një rast krahasimi mes dy vendeve dhe sjelljes së kryeministrave respektivë ndaj korrupsionit.

Kontrasti është i dukshëm.

Në Greqi, kryeministri Kyriakos Mitsotakis është përballur publikisht me skandalin e subvencioneve bujqësore të BE-së, ku në hetime përfshihen figura të rëndësishme të partisë së tij. Ai ka deklaruar se askush nuk do të mbrohet politikisht dhe ka kërkuar nisjen e menjëhershme të procedurave hetimore pas heqjes së imunitetit për deputetët e përmendur. Për më tepër, Mitsotakis ka hedhur në tryezë edhe reforma konkrete institucionale për të kufizuar klientelizmin në të ardhmen.

Në Shqipëri, të akuzuarit për korrupsion merren në mbrojtje publikisht nga kryeministri i vendit.

Edi Rama është deklaruar publikisht si parzmore ndaj ish-numrit dy të kabinetit, Belinda Ballukun dhe Frida Krifcës, të cilën pasi u akuzua për korrupsion në vend ta dorëzonte para drejtësisë e mori dhe e futi në godinën e kryeminstrisë.

I kemi marrë jo paqëllim këto dy personazhe, pasi në këtë kontekst kuptohet edhe qasja e Ramës ndaj Europës.

Përkundër propagandas për pasaportën europiane, shqipëria2030 në Europë, në praktikë Edi Ramë është personi numër 1 në Shqipëri që vepron gjithmonë të kundërtën e asaj që flet. Pra, në retorikë flet për integrimin, në praktikë i fut shkopinj nën rrota integrimit çdo ditë, aq sa edhe e ka bllokuar atë.

Për Belinda Ballukun, deri tani, 9 vende të Bashkimit Europian kanë pezulluar procesin integrues të Shqipëri në union, pasi kryeministri nuk e dorëzon atë para drejtësisë.

Për Frida Krifcën, Shqipëria ka hyrë në vitin e tretë, ku fermerët vendas privohen nga fondet eurpiane për shkak të kapjes së drejtësisë nga Rama dhe mos dorëzimit të Krifcës para drejtësisë për të zbardhur edhe skemën e abuzimit të fondeve më klientët e pushtetit.

Ndërsa në Greqi kemi një përpjekje për të krijuar distancë politike dhe për të lejuar hetimin institucional të vijojë pa pengesa dhe kryeministri Mitsotakis ka shkarkuar 3 ministra deri tani për t’i çuar para drejtësisë, në Shqipëri, kryeministri Rama i është bërë bllokadë drejtësisë duke mos e lejuar të hetojë vjedhjet dhe duke hedhur kështu në ere edhe procesin integrues të vendit në BE.

Ky paralelizëm nxjerr në pah dy modele të ndryshme: një qasje që synon të ruajë legjitimitetin përmes reagimit institucional dhe transparencës, dhe një tjetër që mbështetet më shumë në kontrollin politik dhe të drejtësisë për mbrojtjen e elitës së korruptuar qeverisëse.

Në fund, mënyra sesi liderët reagojnë ndaj krizave të korrupsionit nuk është vetëm çështje retorike, por përcakton edhe besimin e qytetarëve tek shteti dhe drejtësia. Dhe pikërisht këtu, diferenca mes dy qasjeve bëhet më e dukshme se kurrë.