Talenti 16-vjeçar ndez sërish ‘luftën’ mes Barcelonës dhe PSG-së

Një tjetër duel në merkato po merr formë mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germain, këtë herë për një talent shumë të ri nga Afrika. Bëhet fjalë për mesfushorin 16-vjeçar Aboubacar Maiga, i cili pritet të bashkohet me klubin parisien, pavarësisht interesimit të mëparshëm nga katalanasit.

Maiga, një mesfushor ofensiv nga Mali dhe produkt i akademisë “Africa Foot”, kishte qenë në provë te Barcelona verën e kaluar dhe kishte bindur drejtuesit e klubit. Marrëveshja dukej pranë, por për shkak të rregullave që nuk lejojnë transferimin ndërkombëtar të lojtarëve nën 18 vjeç, ai u rikthye në vendlindje me planin që Barça të ndiqte zhvillimin e tij deri në moshën madhore.

Megjithatë, situata ka ndryshuar së fundmi. Talenti afrikan është parë në Paris, ku ka zhvilluar prova me akademinë e PSG-së. Madje, ai ka marrë pjesë edhe në turneun “Olympia Future Cup” në ambientet e Ajax-it, duke tërhequr vëmendjen e drejtuesve francezë, të cilët tashmë duket se janë pranë sigurimit të firmës së tij.

Barcelona ka ndërtuar vitet e fundit një strategji të suksesshme duke investuar në talente të reja me kosto të ulët, veçanërisht nga tregu afrikan. Por ky model ka tërhequr konkurrencë të fortë nga klubet e mëdha europiane, me PSG që tashmë po ndjek të njëjtën rrugë.

Rivaliteti mes dy klubeve në merkato nuk është i ri. Nga transferimi i Neymarit në 2017, tek afrimi i Lionel Messi në Paris në 2021, apo betejat për lojtarë si Kylian Mbappé dhe Ousmane Dembélé, historia mes Barcelonës dhe PSG-së është e mbushur me përplasje të forta.

Rasti i Aboubacar Maiga duket se është kapitulli i radhës në këtë rivalitet të ashpër, që tashmë është shtrirë edhe te talentët më të rinj të futbollit botëror.