Shpopullimi masiv në fshatrat e Papërit, Elbasan: Të rinjtë largohen, mbeten vetëm të moshuarit

Fshatrat e njesisë administrative Papër, të bashkisë Elbasan, vitet e vundit jane përfshirë nga shpopullimi masiv. Dikur kjo zonë njihej në mbarë vendin për blektorinë dhe bujqësinë, por sot në banesa kanë mbetur vetëm të moshuar pasi pjesa më e madhe e të rinjve janë larguar jashtë vendit.

Të moshuarit e zonës tregojnë se jetesa vetëm është mjaft e vështirë e se problemet në zonën e tyre janë të dhumta nisur nga mungesa e infrastrukturës, mungesa e ujit të pijshëm dhe mungesa e vendeve të punësimit.

Mungesa e ujit të pijshëm vijon të jetë një shqetësim serioz për banorët, ndaj të detyruar shumica e tyre kanë hapur puse në oborret e shtëpive, ndërsa energjia elektrike nuk është gjithmonë e qëndrueshme, duke krijuar vështirësi në jetën e përditshme.

Të gjitha këto shqetësime e mungesa e punësimit dhe ekonomia e dobët po i detyron familjet të largohen, duke bërë që fshatrat të zbrazen gjithnjë e më shumë.

Ata theksojnë se pa ndërhyrje konkrete në përmirësimin e kushteve të jetesës, këto zona rrezikojnë të mbeten plotësisht të braktisura.