'Dëmet janë të pallogaritshme'/ Pronarët e bizneseve të dëmtuara nga shpërthimi në Lezhë: Presim ndihmë...
Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qytetin e Lezhës mbrëmjen e djeshme, në lagjen Besëlidhja, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa biznese dhe automjete. Banorët dhe pronarët e zonës përshkruajnë situatën si dramatike dhe të paqartë, ndërsa presin ndërhyrjen e institucioneve përkatëse.
“Dëmet janë të pallogaritshme. Për sa i përket njerëzve, falë Zotit familjarët janë mirë, por për dëmet nuk ka fjalë,” shprehet njëra prej pronareve të bizneseve të dëmtuara.
Ajo thekson se deri tani nuk ka mbërritur asnjë ekip për vlerësimin e dëmeve dhe shpreson që institucionet të tregojnë humanizëm dhe të ndihmojnë në rindërtimin e bizneseve, disa prej të cilave ekzistojnë prej më shumë se 17 vitesh.
LEXO EDHE: Lezha tronditet nga një shpërthim i fuqishëm, biznese dhe automjete të dëmtuara
Pronari i një tjetër biznesi apelon gjithashtu për kujdes të shtuar në përdorimin e bombolave të gazit: “Kjo do të jetë gjëja më e domosdoshme dhe emergjente, të trajtohen me shumë përgjegjësi, për të shmangur incidente të ngjashme në të ardhmen.”
Sipas banorëve, përveç ndërhyrjes së policisë dhe zjarrfikësve në momentin e shpërthimit, nuk ka mbërritur ende asnjë ekip për vlerësimin e dëmeve materiale.
Aktualisht, ata po përpiqen vetë të pastrojnë mbetjet dhe të menaxhojnë situatën, duke shpresuar në një reagim sa më të shpejtë nga autoritetet.