Çerdhe prostitucioni tek ‘Fazani’, prokuroria e Lezhës shkoi për kokainë por zbuloi se kryehej prostitucion. 8 të pandehur

Nga Elton Qyno - Syri.net/

Një informacion i mbërritur pranë Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në Lezhë, ka çuar policinë e këtij qyteti në zbulimin e një “çerdhe” prostitucioni të vendosur në ambientet e një lokali të quajtur “Fazani” në zonën e Lezhës.

Ambienti ishte përshtatur si bar-restorant dhe menaxhohej nga Krenar Lika, nga fshati Malbardhë, i Kurbinit. Por brenda lokalit tregtohej hashash, kokainë si dhe njëherësh ofroheshin për klientët vajza me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale kundrejt pagesës.

Sipas dosjes hetimore ndërhyrja e policisë së Lezhës u krye në 31 korrik 2024, me qëllim kapjen e lëndëve narkotike, por gjatë aksionit forcat operacionale zbuluan se brenda ambienteve të lokalit veç shitjes së drogës, kryhej dhe prostitucion.

Ndaj për këtë aktivitet kriminal, pak ditë më parë prokuroria e Lezhës ka marrë të pandehur dhe dërguar në gjykim 8 persona, ku aktualisht çështja po gjykohet në seancë paraprake nga gjyqtarja e dosjes, Irma Cacaj.

Rezulton se pronari i lokalit Krenar Lika, është arrestuar dhe dërguar për gjykim për akuzën e “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” si dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotikëve”.

Ndërkohë të pandehurit e tjerë, Ahmet Rizvani dhe 23-vjeçari, Klejvi Koçi, janë ndaluar për akuzën e “Shitjes së lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu të pandehura në këtë dosje penale janë marë dhe 5 vajzat që qëndronin në lokal me qëllim ushtrimin e prostitucionit. Njëra prej tyre, Blerina Leti, është kapur në flagrancë dhe sipas policisë është proceduar për akuzën e “Prostitucionit”.

Ndërsa Alketa Volaj, Ersida Stafa, Klaudia Oshafi dhe Vjollca Haka janë proceduar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.