'Investimet bien në minimum historik'/ Teliti: Bashkia Tiranë mbledh miliona, por 2 nga 3 projekte dështojnë

Eksperti i ekonomisë dhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, deklaroi nga emisioni Kafe Shqeto se Bashkia e Tiranës është efikase në mbledhjen e të ardhurave, por dështon në kthimin e tyre në investime për qytetarët.

Sipas tij, vetëm 1 në 3 projekte realizohet, ndërsa pjesa tjetër mbetet në proces, duke e cilësuar këtë performancë “notë ngelëse”. Ai theksoi se investimet në zonat rurale janë nën 10%, ndërkohë që shpenzimet operative realizohen mbi 100%.

Teliti kritikoi gjithashtu modelin e drejtimit të Erion Veliajt, duke theksuar se fondet publike nuk po përdoren për prioritete si shkollat dhe infrastruktura. Sipas tij, rreth 220 milionë euro të mbledhura nga taksat kanë mbetur të pashpenzuara në buxhet, duke mos u kthyer në shërbime për qytetarët.

Teliti:

Buxheti është një instrument rishpërndarjeje. Marr paratë nga qytetarët e Tiranës, për t'ia kthyer qytetarëve të Tiranës. Pyetja, a është e aftë bashkia për t'i marrë paratë nga qytetarët e Tiranës? Po, është shumë e aftë.

A është e aftë bashkia për t'i kthyer këto para tek qytetarët e Tiranës? Jo, nuk është e aftë.

Dhe treguesi kryesor është realizimi i investimeve. 1/3 e investimeve të realizuara, 2/3 në rrugës. E thënë ndryshe, në çdo tre projekte, dy nuk janë kryer, vetëm njëri prej tyre ka pasur sukses. Nota ngelëse. As më pak dhe as më shumë. Të shpenzosh paratë për 12.400 punonjës që ka sot në total Bashkia e Tiranës, një numër dy herë e gjysmë më i lartë sesa ai i para tetë viteve, nëntë viteve më parë. Dhe të arrish sot që të jesh në treguesin e realizimit të investimeve më të ultin që ke pasur në historikun 30-vjeçar, me thënë të drejtën, është diçka e cila është tërësisht jashtë çdo lloj standardi, por për më tepër është skandaloze.

Sepse nuk, nuk besoj që është çështje paaftësie, është çështje e thjeshtë fakti që nuk duan në radhë të parë t'i shërbejnë Tiranës, sepse modeli i ndërtuar gjatë këtyre nëntë viteve qeverisje nga Erion Veliaj, se Erion Veliaj ndodhet ose nuk ndodhet fizikisht në zyrën e kryetarit të Bashkisë, modeli Veliaj në qeverisjen e Tiranës vazhdon identik si përpara. Ata nuk lënë asgjë të fluturojë pa e paracaktuar paraprakisht se kush do ta fitojë. Dhe vitin e kaluar, viti 2025, ata mulliri e menaxhimit të brendshëm të Bashkisë së Tiranës, ku nuk dihet se kush është kryetari, që ka shumë nënkryetarë, bashkëkryetarë, ministra përgjegjës, kryeministri që fut duart në menaxhimin e punëve të Tiranës. Ajo që është parë në fund fare është që të gjitha pasojat e keqmenaxhimit kanë shkuar tërësisht në kurriz të investimeve publike. Do ju jap një tregues që është i vitit 2025. Më thoni pak, sa është realizimi i investimeve publike në zonat e fshatit për hapjen e kanaleve të ujitjes dhe kullimit, që aq shumë fermerët e Tiranës kanë nevojë?

Është më pak sesa 10%. Është njëshifrore shifra. Pra, kur flasin këta ne do ndihmojmë fermerin, do ndihmojmë produktin Made in Tirana, që Tirana të zhvillohet e kështu me radhë, që turistët kur të vijnë në Tiranë të hanë ushqimin e Tiranës e kështu me radhë. Kur vjen dhe diçka tjetër, kur vjen puna për të paguar incenerator që nuk ekziston, realizimi është 100%.

Kur vjen puna për të paguar dietat e atyre që gjoja duhet të bënin punën, realizimi është mbi 100%.

Kur është puna për shpenzimet operative të mirëmbajtjes së godinës e kështu me radhë, realizimi është mbi 100%. Okej. Kur vjen puna ama, për të realizuar investimet, siç ndodhi dhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak që ka qenë si sot java, një javë më parë, e dini se çfarë bën? Hoqën financimin e pesë shkollave nga buxheti i vitit 2026. Pra, ulën akoma dhe më tej investimet publike të Tiranës, pra ato investime që janë të nevojshme. 

Paratë rrinë aty, paratë mbarten dhe ne kemi prej vitit 2021 kemi fenomenin e mbartjes së të ardhurave vit pas viti. Vetëm në vitin 2025, paratë e mbartura nga buxheti i mëparshëm, pra të mbledhura dhe të hequra nga xhepat tanë, të marra nga xhepat e qytetarëve, të familjeve të Tiranës, qytet apo fshat qofshin ato, të marra nga xhepat e sipërmarrjes, me taksa, tarifa e tarifa. Të marra nga xhepat e çdokujt me anë të gjobave të majme që kanë vendosur, i kanë qenë në masën 220 milionë euro. Flejnë aty në buxhetin e Tiranës, rrinë aty në llogari, nuk i shpenzojnë. Janë para që na mungojnë ne qytetarëve për të fjetur gjumë në arkën e bashkisë së drejtuar nga modeli Erion Velisë.

Po të jetë për investime ata do t'i kishin investuar, do kishin bërë tenderat me dy-tre herë çmimin fond limit e kështu me radhë. Ato thjesht para do të qëndrojnë aty dhe do të abuzohen avash-avash me kalimin e kohës, derisa ky model të jetë edhe në qeverisje dhe qytetarët e Tiranës mos e largojnë atë me votë, do vazhdojnë t'i abuzojnë e t'i shpenzojnë siç kanë kryer deri më sot, kur mbi 90% e shpenzimeve korrente, pra shpenzimeve që mund të eliminohen lehtësisht dhe që nuk kanë impakt në jetesën tonë, këta e kanë kryer, ndërkohë që të vetmet shpenzime që kanë impakt në jetesën tonë, që janë investime për shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë, ujësjellës, pastrim, çdo lloj pjese që ka lidhje me mirëqenien tonë ditore, javore, mujore, vjetore e kështu me radhë, këta nuk i kryejnë. Paratë janë atje, kanë ikur nga xhepat tanë, kanë dalë nga xhepat e qytetarëve, kanë dalë nga xhepat e biznesit, rrinë në llogarinë e thesarit që ka Bashkia e Tiranës dhe nuk shpenzohen.