'Po grabiten tokat ...', Vata: ‘Paketa e Maleve’, shpopullim i fshatrave, po ‘varroset’ bujqësia dhe blegtoria

E ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata, ka denoncuar një skemë qeveritare që, sipas saj, synon tjetërsimin e pronave në zonat malore të vendit nëpërmjet ankandeve të dyshimta, në favor të oligarkëve dhe biznesmenëve të lidhur me pushtetin. Kjo situate, tha ajo në bisedë me moderatorin Flavio Qarri,  nuk prek vetëm Martaneshin, por të gjitha zonat malore të Shqipërisë, duke e cilësuar si një plan për shpopullimin sistematik të fshatrave.

Në qendër të akuzave të saj qëndron e ashtuquajtura "Paketa e Maleve", të cilën deputetja e përshkroi si një "mekanizëm për tjetërsimin e pronave dhe shpopullimin sistemik të fshatrave". Sipas saj, kjo paketë po përdoret për të nxjerrë në ankand toka bujqësore dhe kullota, të cilat më pas u jepen miqve të kryeministrit për ndërtimin e parqeve me panele diellore apo hidrocentraleve. Këto projekte, theksoi Vata, janë "dora e fundit e qeverisë për të varrosur bujqësinë dhe blegtorinë".

Deputetja Vata hodhi poshtë pretendimet e qeverisë për zhvillim turistik apo përkrahje për ish-pronarët, duke i quajtur ato një fasadë. "Objektivi kryesor janë kullotat dhe tokat e përbashkëta, prona që kanë shumë bashkëpronarë, dhe tjetërsimi i tyre është vjedhje e hapur", deklaroi ajo. Ajo akuzoi bashkitë se po falsifikojnë shkallën e pjellorisë së tokave, duke i kthyer ato në letra nga "toka buke" në "toka jo produktive", për të justifikuar dhënien e tyre për projekte energjetike.

Reagimi i komuniteteve lokale ka qenë i ashpër. Vata përmendi se një dëgjesë publike në Martanesh u kthye në një protestë masive, ku banorët dëbuan përfaqësuesin e bashkisë. Sipas saj, këto dëgjesa janë "false", pasi organizohen me një numër të vogël njerëzish dhe nuk kanë asnjë vlerë ligjore, veçanërisht kur bëhet fjalë për prona me shumë bashkëpronarë.

Duke e zgjeruar denoncimin e saj, deputetja paralajmëroi se ky fenomen nuk do të ndalet në malësi. Ajo pretendoi se plani do të shtrihet edhe në tokat me ullinj nga Saranda në Krujë, duke përdorur të njëjtën skemë të tjetërsimit të pronave. Sipas saj, përfituesit e kësaj skeme janë ish-drejtues të Partisë Socialiste ose njerëz me lidhje të forta me qeverinë.

Flavio Qarri: Nuk e dimë nëse është “Paketa e Maleve” që e ka frymëzuar këtë shpejtësi ankandesh apo diçka tjetër. Çështja është e thjeshtë, zonja Vata. A ka diçka që duhet ta dimë fillimisht në raport me këto ankande misterioze?

Denisa Vata: Dua të flasim për një situatë që prek jo vetëm Martaneshin, por gjithë zonat malore të Shqipërisë. Banorët e Martaneshit, ju e patë vetë se këtë dëgjesë publike e kthyen në protestë sepse e dinë shumë mirë se çfarë po ndodh me tokat e tyre. Dhe kjo nuk është e rastësishme, por është shembulli i qeverisjes përmes “Paketës së Maleve”, një mekanizëm për tjetërsimin e pronave dhe shpopullimin sistemik të fshatrave. Panelet diellore, HEC-et me tuba, janë dora e fundit e qeverisë për të varrosur bujqësinë dhe blegtorinë. Rama thotë se po mendon për ish-pronarët, për zhvillimin turistik, por në realitet është krejt tjetër. Dhe objektivi i parë janë, kullotat dhe tokat e përbashkëta, prona që kanë shumë bashkëpronarë dhe tjetërsimi i tyre, është vjedhje e hapur. Në Martanesh dhe kudo. Bashkitë po nxjerrin tokat në ankand për miqtë e kryeministrit, për të vendosur panelet diellore, dhe sigurisht edhe për objeksione të tjera. Kryeministri e ka bërë këtë publike edhe në Davos, duke e prezantuar si një zhvillim green, por është një politikë që vret blegtorinë dhe ekonominë fshatare. Disa familje prezantohen si biznese lokale, por pas tyre fshihen oligarkë dhe ndërtues që kanë lidhje ose biznesmenë që kanë lidhje me qeverinë.

Në rastin e Martaneshit, ose më saktë në qarkun Dibër, po të marrësh vetëm këto kohët e fundit, për disa protesta që kanë ndodhur, qoftë nga banorët e Martaneshit, qoftë nga banorët e Kurdarisë për HEC-in, qoftë nga banorët e Gjoricës dhe në Gollobordë dhe në shumë zona të tjera, edhe në Shupenzë, përfituesit janë ose ish-drejtues ose deputetë të Partisë Socialiste, ose njerëz që kanë lidhje me qeverinë.

Dhe dëgjesat publike që këtu shiten gjithashtu si dëgjesa që janë bërë me banorët e zonave të ndryshme, por në fakt janë bërë dëgjesa publike me 10-15 veta që nuk ka asnjë vlerë ligjore, sepse prona mund të ketë, disa bashkëpronarë ose janë kullota tradicionale të trashëguara nga gjyshërit e tyre.

Por ajo që është më e rënda është sepse bashkitë po falsifikojnë shkallën e pjellorisë së tokave. Pra, nga toka buke po i kthejnë në toka jo produktive ose në toka zall, siç kanë nxjerrë disa terma tani. Një pyetje e thjeshtë. Ku shkoi projekti i agroturizmit që gëlltiti një pjesë të mirë të fondeve të IPARD-it? Shumica e tokave në qarkun Dibër po mbillet me panele diellore, duke shkatërruar jo vetëm bukuritë, por fushat prodhuese, kullotat, ekonominë fshatare dhe fshati detyrimisht që në këtë pikë do të shkojë drejt, zbrazjes.

Tani, çfarë zhvillimi është ky, kur humbasin 100 familje për të fituar një apo dy biznesmenë që vijnë nga Tirana? E ta marrim në rast lufte. Çfarë do hajë populli shqiptar? Do hajë panelet? Ne e pamë shumë mirë se çfarë ndodhi me përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, në vitin 2022, ku eksportuesit e drithërave mbyllën dyert për Shqipërinë, duke nisur nga Vuçiç, miku i Ramës, që shkaktoi inflacion të madh edhe në rritjen e çmimit të kilogramit të grurit.

Tani, pse kjo politikë kaq armiqësore ndaj fermerëve dhe blegtorëve, për të cilët qeveria e Rilindjes kishte premtuar shumë gjëra, përfshirë dhe Akademinë e Barinjve. Ju e dini shumë mirë, Akademinë e Dhive. Ku shkuan thirrjet e kryeministrit për, emigrantët që të kthehen dhe të investojnë në vendin e tyre, kur vetë Rama po grabit tokat në mal dhe në fushë.

Flavio Qarri: Tani, një sekondë, ndalojmë pak këtu, të lutem. Nëse banorët janë të ndërgjegjshëm për këtë, pamë dhe pak tensione. Cila është gjendja e tyre sot? A kanë ata një sipërmarrje për të cilën po bëhen gati? Kanë një plan veprimi? A po koordinoni diçka, po komunikoni me ta?

Denisa Vata: Unë jam në komunikim të vazhdueshëm dhe banorët nuk lejojnë që këto dëgjesa publike falso të ndodhin, sepse, të them të vërtetën, këtu janë dhënë, tokat. Kemi parë dhe përfituesit se kush janë. Pra, dhe këto dëgjesa publike, ju e patë shumë mirë se çfarë ndodhi në Martanesh. Sekretarin e Këshillit Bashkiak e përzunë të irrituar banorët. Pastaj nuk ka punë sekretari i Këshillit Bashkiak. Pse nuk vjen kryetarja e bashkisë së Bulqizës dhe të takojë banorët dhe të flasë me to? Sepse këto dëgjesa janë të gjitha falso, siç ka ndodhur, e kam thënë dhe rithem 100 herë, në rastin e Kurdarisë ku kanë firmosur vetëm 11 banorë dhe krejt banorët e fshatit Kurdari sot protestojnë kundra ndërtimit të një HEC-i. Pra është praktikë që këta, e kanë, ndjekur bashkë.

Flavio Qarri: Konsoliduar.

Denisa Vata: Po, sigurisht. Por ama ka një gjë shumë të rëndësishme, Flavio, që ne duhet t'jua themi, duhet t'jua themi qytetarëve, sepse duhet të jenë të informuar, jo vetëm në zonën  në qarkun e Dibrës, por në gjithë Shqipërinë. Sepse, në gjykimin tim dhe me çfarë po shohim, ky është vetëm fillimi i mega tjetërsimit të pronave, të paluajtshme, që nis me kullota dhe të jemi të sigurt që do të vazhdojë edhe, me tokat kodrinore, me ullinj nga Saranda deri në Krujë, që po ashtu figurojnë si prona shtetërore, por edhe pse në kadastrën e vjetër figurojnë prona të ish-pronarëve, të konfiskuara nga diktatura. Pra, është shkatërrimi i bujqësisë…