E turpshme në Spanjë, ofendime raciste ndaj Lamine Yamal-it në ndeshjen ndaj Atleticos
Një tjetër episod i shëmtuar ka ndodhur në futbollin spanjoll, ku talenti i Barcelonës, Lamine Yamal, është bërë objekt i ofendimeve nga disa tifozë gjatë ndeshjes ndaj Atlético Madridit.
Ngjarja ndodhi teksa Yamal po përgatitej të ekzekutonte një goditje këndi. Nga tribuna u dëgjuan thirrje fyese dhe diskriminuese si: “Je shumë i shëmtuar… shko në Marok”, ndërsa në video dëgjohen edhe fyerje të tjera. Edhe pse autorët e këtyre thirrjeve nuk janë identifikuar, pamjet janë bërë virale dhe kanë shkaktuar reagime të shumta.
Ky nuk është rasti i parë i tillë për lojtarin e ri. Pak kohë më parë, gjatë një ndeshjeje të kombëtares në Cornellá ndaj Egjiptit, ai kishte reaguar ashpër ndaj thirrjeve “Muslimani që nuk kërcen”, duke dënuar publikisht këto sjellje.
Raste të tilla po përsëriten gjithnjë e më shpesh në stadiumet spanjolle, pavarësisht përpjekjeve të klubeve dhe autoriteteve për t’i ndaluar. Sjellje të tilla jo vetëm dëmtojnë imazhin e futbollit, por krijojnë edhe një klimë negative për lojtarët.
Edhe pse bëhet fjalë për një grup të vogël tifozësh, incidenti hedh një hije të rëndë mbi futbollin spanjoll dhe rikthen në qendër të vëmendjes nevojën për masa më të forta kundër racizmit dhe mungesës së respektit në sport.