Zelensky në Damask, takim trepalësh me Sirinë dhe Turqinë për sigurinë dhe krizën në Iran

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar një vizitë në Damask këtë të diel, 5 prill, ku është pritur në një takim trepalësh nga ekipet e larta diplomatike të Sirisë dhe Turqisë.

Përmes një komunikimi në rrjetet sociale, kreu i shtetit ukrainas bëri të ditur se ky takim shënon një hap të rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve të reja dhe zgjerimin e përpjekjeve të përbashkëta për sigurimin e stabilitetit në rajon.

Sipas Zelenskyt, bisedimet u fokusuan në një gamë të gjerë çështjesh, duke nisur nga mbrojtja dhe situata e tensionuar rajonale e shkaktuar prej zhvillimeve rreth Iranit, e deri te bashkëpunimi konkret në fushat e energjisë dhe infrastrukturës midis tre vendeve.

Ai theksoi se një vëmendje e veçantë iu kushtua vazhdimësisë së punës për sigurinë ushqimore dhe detajeve mbi procesin e negociatave lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës, duke analizuar rrugët për kapërcimin e pasojave të këtij konflikti.

Gjatë qëndrimit në kryeqytetin sirian, presidenti ukrainas shprehu mirënjohjen e tij për popullin sirian për mikpritjen e ngrohtë, duke nënvizuar se Ukraina ishte ndër vendet e para që mbështeti rrugëtimin e ri të Sirisë pas rënies së regjimit të Asadit.

Zelensky e mbylli mesazhin e tij duke konfirmuar gatishmërinë për të mbështetur zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm, me qëllim që përmes një punë më të ngushtë të përbashkët, të forcohen popujt dhe të rriten ekonomitë e vendeve respektive.