Tiranë/ Kapet në flagrancë duke vjedhur biçikletë, arrestohet 26-vjeçari me precedentë kriminalë
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 26-vjeçar, i dyshuar për një sërë vjedhjesh të kryera në kryeqytet, pas kapjes së tij në flagrancë gjatë një tjetër akti kriminal në zonën e Laprakës.
Burime zyrtare nga Policia bëjnë me të ditur se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 2, kanë arrestuar shtetasin A. B., pasi u kap duke vjedhur një biçikletë në rrugën “Buna”.
Nga hetimet paraprake rezulton se 26-vjeçari është me precedentë penalë të mëparshëm në fushën e vjedhjes dhe dyshohet si autor i katër vjedhjeve të tjera të kryera gjatë muajve mars-prill, në subjekte të ndryshme. Në këto raste, ai ka përfituar shuma parash dhe sende të ndryshme.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tij kriminale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.