Kamboxhia nderon 'heroin' që zbulonte mina, ekspozohet statuja e parë në botë për një mi
Kamboxhia ka zbuluar një statujë për të nderuar Magawa-n, një mi të famshëm për zbulimin e minave tokësore, i cili u dekorua me medalje të artë për heroizmin e tij. Monumenti konsiderohet si i pari në botë i dedikuar një brejtësi që ndihmon në çminim.
Magawa, i cili jetoi deri në moshën tetëvjeçare, arriti të zbulojë mbi 100 mina tokësore dhe eksplozivë të tjerë gjatë një karriere pesëvjeçare që nisi në vitin 2016. Statuja e tij, e gdhendur nga artistë vendas në gur lokal, u zbulua të premten në qytetin Siem Reap, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin ndaj Minave më 4 prill.
Sipas Kombeve të Bashkuara, minat tokësore vazhdojnë të përbëjnë një rrezik të madh në Kamboxhia, ku mbi një milion njerëz jetojnë dhe punojnë në zona të kontaminuara nga mina dhe municione të pashpërthyera.
Magawa, një mi gjigant afrikan, u trajnuar nga organizata bamirëse belge Apopo, përpara se të dërgohej në Kamboxhia për të nisur misionin e tij. Falë nuhatjes së mprehtë dhe aftësisë për të zbuluar përbërje kimike të eksplozivëve, ai sinjalizonte praninë e minave, të cilat më pas çaktivizoheshin në mënyrë të sigurt nga ekspertët.
Gjatë aktivitetit të tij, Magawa pastroi mbi 141 mijë metra katrorë tokë – ekuivalente me rreth 20 fusha futbolli – dhe ishte në gjendje të kontrollonte një sipërfaqe sa një fushë tenisi në vetëm 20 minuta.
Në vitin 2020, ai u nderua me Medaljen e Artë PDSA, e njohur si “George Cross” për kafshët, për “përkushtimin shpëtimtar ndaj detyrës”. Ai ishte miu i parë që merrte këtë çmim në historinë 77-vjeçare të organizatës.
Pas një pensionimi të shkurtër për shkak të moshës dhe ngadalësimit të ritmit, Magawa ndërroi jetë në vitin 2022.
Menaxheri i programit të Apopo-s në Kamboxhia, Michael Raine, deklaroi se monumenti për Magawa-n është një kujtesë për komunitetin ndërkombëtar se puna për pastrimin e minave ende nuk ka përfunduar. Ai shtoi se vendi synon të jetë i lirë nga minat deri në vitin 2030.
Organizata Apopo ka trajnuar këta brejtës, të njohur si “HeroRATS”, që nga vitet ’90. Për shkak të peshës së tyre të lehtë, ata nuk i aktivizojnë minat, duke i bërë më të sigurt se njerëzit për këtë lloj pune. Përveç kësaj, ata janë përdorur edhe për zbulimin e tuberkulozit dhe për parandalimin e trafikut të paligjshëm të kafshëve në Tanzani.
Një tjetër mi i trajnuar nga Apopo, i quajtur Ronin, vendosi një rekord të ri botëror në vitin 2025 duke zbuluar 109 mina dhe 15 mjete të pashpërthyera që nga viti 2021, duke tejkaluar edhe arritjet e Magawa-s./BBC-Syri.Net