Krishti u ringjall! Besimtarët katolikë festojnë Pashkët
Krishti u ringjall! Sot, besimtarët katolikë në të gjithë botën kremtojnë Pashkët, ditën që simbolizon ringjalljen e Krishtit, një nga momentet më të rëndësishme të kalendarit fetar. Festimet kanë nisur që të shtunën në mbrëmje me meshën e madhe, e cila u zhvillua në të gjitha kishat katolike, dhe kulmojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Në vigjilje të kësaj feste të shenjtë, besimtarë të të gjitha moshave u bashkuan për të kremtuar Pashkën e Madhe. Në kryeqytet, në katedralen “Shën Pali”, mesha e ringjalljes së Krishtit filloi pak pas orës 22:00.
Mëngjesi i Pashkës vjen me një atmosferë të veçantë, ku tradita dhe besimi ndërthuren në çdo detaj. Dita nis simbolikisht me vezën dhe bukën e bekuar, ndërsa më pas besimtarët drejtohen drejt meshës së së dielës, e cila fillon në orën 10:00.
Pas ceremonisë, vijon një nga momentet më të dashura: shkëmbimi dhe thyerja e vezëve të kuqe, një rit që shoqërohet me urime të përzemërta mes njëri-tjetrit për këtë ditë të shenjtë. Festa vazhdon në familje, ku të gjithë mblidhen rreth tryezës për të ndarë gëzimin dhe për të shijuar gatime tradicionale si mishi i pjekur, byrekët e ndryshëm, lakrori dhe vezët.
Përtej festimeve, Pashkët mbartin edhe një mesazh të thellë shpirtëror: është një ditë faljeje, pajtimi dhe lënies pas të mërive. Për besimtarët, ajo mbetet një nga festat më të rëndësishme të kalendarit katolik, një moment për të uruar shëndet, mbarësi dhe paqe në jetën e gjithsecilit.