Hakerat thyejnë sigurinë e muzeut të Firences, kërkojnë 300 mijë euro ose do publikojnë gjithçka

Një pjesë e konsiderueshme e Palazzo Pitti është mbyllur që prej 3 shkurtit, për një periudhë të pacaktuar, zyrtarisht për ‘mirëmbajtje të jashtëzakonshme’. Paralelisht, bizhuteritë më të çmuara të thesarit të Dukëve të Mëdhenj janë transferuar me urgjencë në kasafortat e Banka e Italisë. Brenda natës janë përforcuar dyer dhe dalje sigurie, ndërsa personelit i është kërkuar të mos japë deklarata.

Në prapaskenë, situata lidhet me një sulm serioz kibernetik ndaj Gallerie degli Uffizi, kompleks që përfshin gjithashtu Palazzo Pitti dhe Giardino di Boboli. Sulmi, i zbuluar mes fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit, ka rezultuar shumë më i thellë nga sa u raportua fillimisht.

Sipas burimeve, hakerat kanë depërtuar në rrjetin informatik dhe kanë zbrazur serverë të tërë. Ndër humbjet më të rënda është arkivi i kabinetit fotografik, që përmbante piktura dhe dokumente të dixhitalizuara gjatë dekadave, tashmë pjesërisht të humbura. Njëkohësisht, është dërguar një kërkesë për shpërblim prej 300 mijë eurosh brenda 72 orësh, drejtpërdrejt në telefonin personal të drejtorit Simone Verde.

Sulmuesit kanë arritur gjithashtu të aksesojnë sistemet e zyrës teknike, duke siguruar kode hyrjeje, fjalëkalime, konfigurime alarmi, harta të brendshme dhe detaje mbi hyrje-daljet dhe rrugët e shërbimit. Ata njihnin edhe vendndodhjen e kamerave të sigurisë dhe sensorëve, të dhëna që tani kërcënojnë t’i publikojnë ose shesin në ‘dark web’ nëse kërkesat nuk plotësohen.

Hetimet sugjerojnë se sulmi nuk ka qenë i menjëhershëm. Aksesi fillestar në sistem mund të datojë muaj më parë, ndoshta që nga gushti. Hakerat kanë lëvizur gradualisht brenda rrjetit, duke mbledhur dhe kopjuar të dhëna për një periudhë të gjatë, përpara se të bllokonin sistemet dhe të paraqisnin kërkesën për shpërblim.

Burimet tregojnë se pika e dobët mund të ketë qenë një program për menaxhimin e imazheve me rezolucion të ulët, përmes të cilit është arritur depërtimi në të gjithë infrastrukturën digjitale. Duke qenë se gjithçka ishte e lidhur me serverin qendror, sulmi ka prekur kompjuterë, telefona dhe sisteme të brendshme komunikimi.

Ekspertët paralajmërojnë se autorët e sulmit tashmë mund të kenë njohuri të detajuara mbi strukturën organizative dhe mekanizmat e funksionimit të institucionit, përfshirë proceset vendimmarrëse dhe sistemet e sigurisë.

Gallerie degli Uffizi mbetet një nga muzetë më të rëndësishëm dhe më të vizituar në botë, me një vlerë të jashtëzakonshme historiko-artistike. Njëkohësisht, ai funksionon edhe si një strukturë ekonomike me të ardhura që arrijnë rreth 60 milionë euro në vit dhe me flukse ditore që në periudha të ngarkuara shkojnë deri në gjysmë milioni euro.