SYRI TV/ 9 vende të BE bllokuan integrimin, Rama justifikohet: Jemi vend i vogël dhe popull i vogël

Kryeministri Rama është përpjekur të justifikojë bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit. Gjatë një takimi në Tiranë, Rama zgjodhi të luajë rolin e viktimës, duke thënë se jemi popull i vogël dhe duhet që edhe të tjerët të na shohin me sy të mirë, ndërkohë që nuk përmendi arsyet reale të këtij bllokimi, që lidhen me mbrojtjen e korrupsionit, pengimin e drejtësisë, shtetin e së drejtës apo lirinë e medias.

Teksa 9 vende anëtare të Bashkimit Europian kanë bllokuar procesin e integrimit europian të vendit, Kryeministri Rama është përpjekur ta relativizojë këtë çështje. Gjatë një takimi me asamblenë e Partisë Socialiste të njësisë 12 në Tiranë, Rama nuk përmendi arsyet reale të këtij vendimi, të cilat lidhen me mbrojtjen e korrupsionit, siç ishte rasti i Belinda Ballukut, pengimin e drejtësisë, mosfunksionimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, lirinë e medias apo të drejtat e pronësisë. Rama zgjodhi të luajë rolin e viktimës, duke thënë se jemi popull i vogël dhe duhet që edhe të tjerët të na shohin me sy të mirë.

"E kemi parë se sa shumë është folur mbrapsht edhe për procesin e negociatave me BE: jo u bllokua, jo u ndalua, jo nuk bëhet kjo punë me Ramën dhe PS. Kemi bërë shumë nga ana jonë për të arritur këtu, por një gjë duhet ta kemi mirë parasysh: nuk mjafton. Ne mund ta kishim bërë të gjithën dhe nuk mjafton, sepse i vogli, vendi i vogël, populli i vogël nuk i mjafton që të bëjë më të mirën e vet; duhet që edhe të tjerët ta shohin me sy të mirë. Dhe janë bashkuar yjet e fatit, për arsye që nuk lidhen vetëm me sa mirë kemi punuar ne, por lidhen edhe me si po shkon bota," tha Rama.

Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 ishte premtimi kryesor i Edi Ramës gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të vitit të shkuar. Por informacionet që vijnë nga Brukseli nuk janë inkurajuese. Disa nga vendet kryesore të Bashkimit Europian kanë pezulluar këtë proces, duke mos votuar raportin IBAR për Shqipërinë. Ky bllokim pasoi votimin e 12 marsit në Parlament, ku Edi Rama me 82 vota të deputetëve socialistë rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, një akt për të cilin ishin paralajmëruar pasoja nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian.

Në mbledhjen e fundit të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim të Këshillit të Bashkimit Europian, 9 vende anëtare Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Suedia, Austria, Finlanda, Polonia, Greqia dhe Bullgaria nuk pranuan t’i japin Shqipërisë dritën jeshile, duke kompromentuar gjithnjë e më shumë të ardhmen europiane të vendit.