SYRI TV/ ‘Çmenden’ çmimet në tregjet e Tiranës, tregtarët e konsumatorët në vështirësi
Syri TV ka kryer një vëzhgim në tregje fruta-perimesh në kryeqytet, ku vihet re një rënie e ndjeshme e fuqisë blerëse për shkak të rritjes së pandalshme të çmimeve. Kjo situatë ka krijuar vështirësi për tregtarët dhe konsumatorët.
Syri TV kreu një vëzhgim në disa tregje fruta-perimesh në Tiranë, ku shtrenjtimi i çmimeve të produkteve ushqimore ka pësuar rritje të dukshme. Në tregun e fruta-perimeve në Kombinat, domatja tregtohet deri në 350 lekë, speci 450 lekë, ndërsa rritje kanë pësuar edhe produktet e tjera ushqimore.
Konsumatorët po përballen me kosto të larta të jetesës, teksa pohojnë se çmimet e produkteve janë më të shtrenjta. Ata thonë se kanë ulur ndjeshëm konsumin, pasi të ardhurat nuk mjaftojnë për të përballuar çmimet e larta të disa produkteve bazë. Situata paraqitet më e vështirë për pensionistët, të cilët shumën që marrin nga pensioni e kanë shumë larg minimumit jetik.
Nga ana e tyre, tregtarët pohojnë se rritja e çmimeve ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse, duke u shkaktuar vështirësi, pasi malli shpesh mbetet pa u shitur.
Tregjet e fruta-perimeve në kryeqytet vijojnë të boshatisen për shkak të rritjes së çmimeve, dhe nëse kjo situatë zgjat, kriza ekonomike mund të thellohet edhe më tej, duke vështirësuar jetesën e tregtarëve dhe konsumatorëve shqiptarë.