Tiranë/ Vodhën kasafortën në banesë, hajdutët kthehen për të lënë armën, si ranë në pranga dy ‘skifterët'

Andi Hasani, 45 vjeç, dhe Agron Goxhaj, 48 vjeç, janë dy personat që ranë në prangat e policisë së Tiranës pasi vodhën sende me vlerë në një kasafortë në një banesë. Ata dyshohen si autorë të vjedhjeve të tjera në kryeqytet edhe në Durrës.

Grabitja e fundit ishte në kasafortën në zonën e Kinostudios në Tiranë. Autorët kanë pritur të dalë nga shtëpia pronari dhe përmes një çelësi të punuar nga Goxhaj, kanë mundur të hyjnë brenda dhe të marrin kasafortën me gjithçka që kishte brenda.

Pasi kanë hapur kasaportën, kanë gjetur brenda saj një shumë parash dhe sende me vlerë, përfshirë disa bizhuteri dhe një pistoletë që pronari e kishte me leje. Me gjetjen e armës, Hasani dhe Goxhaj janë frikësuar dhe kanë menduar se pronari mund të ishte punonjës policie. Ata janë rikthyer sërish në banesë për të lënë vetëm armën me kasafortën, por jo sendet e tjera me vlerë.

Megjithatë, sapo janë afruar kanë konstatuar në banesë policinë, e cila ishte thirrur nga pronari pas denoncimit për vjedhje. Fillimisht, sapo kanë parë policinë kanë tentuar të largohen me vrap, por afektivët e Komisariatit nr. 4 mundën t’i kapin.

Nga kontrollet në shtëpinë e Agron Goxhajt, i cili rezulton me precedent penal, i arrestuar më parë për plagosje në Shkodër, u gjet punishtja për falsifikim të çelësave të dyerve. Me të njëjtën skemë dyshohet se kanë vjedhur bashkë edhe shtëpi të tjera në zona të ndryshme.