Irani ekzekuton me varje dy anëtarë të MEK, 4 të tjerë u ekzekutuan në fund të marsit

Irani ekzekuton me varje dy anëtarë të MEK, ndërsa lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit vazhdon.

Të dy u ekzekutuan të shtunën në mëngjes, pasi Gjykata e Lartë e vendit la në fuqi dënimet e mëparshme, që i shpallnin fajtorë si anëtarë të PMOI/MEK, grupit opozitar iranian Mojahedin-e-Khalq (MEK), që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe për “rebelim të armatosur përmes përfshirjes në disa akte terroriste”.

“Abolhassan Montazer dhe Vahid Baniamerian  u varën pas gjykimit dhe dënimet e tyre u lanë në fuqi nga Gjykata e Lartë,” njoftoi të shtunën faqja e gjyqësorit iranian, Mizan Online.

PMOI/MEK fillimisht mbështeti revolucionin islamik të vitit 1979 që rrëzoi monarkinë në Iran. Megjithatë, në vitet 1980 ajo u përplas me udhëheqjen e re në Teheran dhe u shpall organizatë “terroriste”, duke vijuar më pas aktivitetin në mërgim.

Katër anëtarë të tjerë të dënuar të këtij grupi u ekzekutuan më 30 dhe 31 mars. Sipas të dhënave në faqen e PMOI/MEK, ata ishin: Mohammad Taghavi, Akbar Daneshvarkar, Babak Alipour dhe Pouya Ghobadi.

Sipas PMOI/MEK, të gjashtë shtetasit u arrestuan dhe u dënuan nga një Gjykatë Revolucionare në fund të vitit 2024.

“Shtypje e kotë”
Grupi i dënoi ekzekutimet në një deklaratë të 2 prillit, duke i cilësuar veprimet e Teheranit si një përpjekje “të kotë” për të shtypur opozitën.

“Këto ekzekutime brutale nuk do ta heshtin opozitën; përkundrazi, ato vetëm sa do të forcojnë vendosmërinë e rinisë rebele të Iranit për të rrëzuar regjimin,” thuhet në reagimin e PMOI/MEK. Organizatat e të drejtave të njeriut kanë kritikuar gjithashtu valën e ekzekutimeve. Aktivistët prej kohësh e akuzojnë Iranin si vendin e dytë në botë për numrin më të lartë të ekzekutimeve, pas Kinës.

Në një deklaratë pas ekzekutimeve të para më 31 mars, Amnesty International akuzoi autoritetet iraniane se kanë torturuar të dënuarit gjatë kohës në burg dhe më pas i kanë transferuar papritur në një vend të panjohur pak para ekzekutimit. Organizata ngriti gjithashtu shqetësimin për ekzekutime të tjera të planifikuara, përfshirë ndaj protestuesve të arrestuar gjatë demonstratave masive kundër qeverisë në janar.

“Është e papranueshme që, ndërsa popullsia po përballet me pasojat e konfliktit dhe humbjeve masive gjatë bombardimeve ajrore nga Izraeli dhe SHBA, autoritetet e Republikës Islamike të Iranit vazhdojnë të përdorin dënimin me vdekje si armë për të zhdukur zërat kundërshtarë dhe për të frikësuar më tej njerëzit,” deklaroi Diana Eltahaëy.

Që nga nisja e luftës së SHBA dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt, Teherani ka ekzekutuar disa persona, përfshirë Kouroush Keyvani, shtetas me dy shtetësi iraniane dhe suedeze, i dënuar për spiunazh në favor të Izraelit, një rast që ka shkaktuar reagime nga Stokholmi dhe Bashkimi Europian.

Një tjetër person, i dënuar për bashkëpunim me Izraelin dhe SHBA gjatë protestave, u ekzekutua të enjten. Më herët, më 19 mars, katër persona të tjerë të arrestuar në lidhje me kryengritjen – Saleh Mohammadi, Mehdi Ghasemi dhe Saeed Davoudi – u vranë.

Amnesty paralajmëron se edhe pesë protestues të rinj, të dënuar më parë me vdekje, mund të ekzekutohen së shpejti, pasi këtë javë janë transferuar nga burgu Ghezel Hesar në një vend të panjohur. /Aljazeera/