Arrestohet Bosi i Kamorrës, Roberto Mazzarella po qëndronte në një vilë luksoze me gruan e fëmijët

Nga Alba Kepi

Arrestohet në bregdetin amalfitan një prej të shumëkërkuarve më të rrezikshëm të mafias napoletane. Ishte në listën e të kërkuarve më të rrezishëm në Itali. Vihet në pranga Roberto Mazzarella

Gjatë orëve të natës, në Vietri sul Mare, forcat e karabinierëve të njësisë hetimore pranë komandës provinciale të Napoli, nën koordinimin e Direzione Distrettuale Antimafia di Napoli, realizuan arrestimin e Roberto Mazzarella, një nga personat më të kërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë në Itali.

Mazzarella, i lindur në vitin 1978 dhe i konsideruar si kreu i klanit mafioz me të njëjtin emër me ndikim të fortë në Napoli dhe provincën përreth, ishte në arrati që prej 28 janarit 2025.

Ai i ishte shmangur ekzekutimit të një urdhri për masë sigurie “arrest me burg”, të lëshuar nga Gjykata e Napolit, me kërkesë të DDA-së, pasi dyshohet për përfshirje në një vrasje të rënduar me metodë mafioze.

Arrestimi i 48-vjeçarit u krye në një vilë luksoze në zonën e Costiera Amalfitana, ku ai ndodhej së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Sipas burimeve zyrtare, ai nuk ka bërë rezistencë në momentin e ndërhyrjes.

Operacioni u mbështet edhe nga njësi të specializuara, përfshirë “Cacciatori di Calabria”, repartet API të Napolit, si dhe një mjet detar i Kapitenerisë së Portit të Salerno, që monitoronte hapësirën detare përreth zonës së operacionit.

Gjatë kontrollit në ambientet ku fshihej, autoritetet sekuestruan tre ora luksi, rreth 20 mijë euro në para cash, dokumente të dyshuara si të falsifikuara, telefona celularë dhe materiale të shkruara me dorë që mendohet se lidhen me një formë kontabiliteti kriminal.

Të gjitha provat janë marrë për verifikime të mëtejshme hetimore.