Bllokimi i integrimit dhe kërcënimi nga Irani/ Si po i fsheh Rama lajmet më të rëndësishme për shqiptarët

Para tre ditësh ambasada amerikane në Tiranë publikoi një paralajmërim për qytetarët e saj, por që shkaktoi tronditje në opinionin publik.

Sipas saj, grupe të lidhura me Iranin mund të godasin në Shqipëri, ndaj bëri thirrje për kujdes në qendra tregtare, zona turistike, hotele, restorante, lokale, etj.

Një ditë më pas, rrjeti i njohur ndërkombëtar i lajmeve, Euronews, lajmëroi se dy vende kanë marrë specifikisht kërcënime nga Irani: Shqipëria dhe Bullgaria.

Po nëse në Bullgari, qeveria e këtij vendi vendosi të bëjë publik kërcënimin që u kishte mbërritur nga Irani, në Shqipëri Edi Rama vendosi të ‘thumbojë’ aleatin tonë strategjik, Amerikën.

Por kjo nuk është hera e parë që Edi Rama u fsheh shqiptarëve lajmet më të rëndësishme.

Po në të njëjtën ditë që doli paralajmërimi amerikan, më 1 prill, në Bruksel u shtua numri i shteteve që janë kundër integrimit të Shqipërisë në BE. Plot 9 shtete u rreshtuan kundër miratimit të raportit IBAR për negociatat.

Në fakt do mjaftonte vetëm një i tillë që raporti të mos miratohej. Por numri 9 është një tregues i frikshëm i faktit se sa e tronditur është BE për vendimin e Edi Ramës për të mbrojtur korrupsionin e tij dhe të qeverisjes së tij.

E megjithatë edhe ky lajm i rëndësishëm jo vetëm u mbajt i fshehtë, por Rama po përpiqet që ta sfumojë atë me propagandë bajate.

Duke qenë se transparenca është një kusht themelor për integrimin në BE, nuk është çudi që numri i shteteve që bllokojnë integrimin të shtohet në ditët në vazhdim.

Deri atëherë mos pretendoni se do e shihni këtë lajm në mediat pro-qeveritare. Larg qoftë se do dalë nga goja e Ramës.

Por të paktën të jeni të sigurt se propaganda e Ramës do bëjë gjithçka për të mjegulluar gjithçka. Zhurma mbetet aleati i tij në këto ditë të zeza për vendin.