Zgjedhjet lokale/ Berisha: Braçe? S'e komentoj partinë e krimit! Do ofrojmë kandidaturën më të shkëlqyer për Tiranën

Partia Demokratike do të shpallë kandidaturat për zgjedhjet e ardhshme lokale shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe 'do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira", garantoi kryetari i PD-së Sali Berisha.

I pyetur sot në bashkëbisedim me qytetarët për kandidaturën e vetëshpallur të Erion Braçes, nëse ishte lëvizje e Ramës pasi ka parë se Manastirliu nuk kishte asnjë shpresë të fitonte në Tiranë, Berisha tha se nuk kishte koment për problemet e  partisë së krimit por garantoi se vetë PD do të ofronte kandidaturën më të shkëlqyer për kryeqytetin.

Qytetari: PS duket se, po përgatitet për zgjedhjet lokale duke nisur punën në terren. Po opozita ku është, a nuk do ishte mirë që kandidatët për bashki të jenë përzgjedhur 1 vit përpara, që të kenë kohë të njihen nga publiku dhe të kenë mundësi që të punojnë me elektoratin. Herët e kaluara kur kandidatët janë zgjedhur 2 muaj para, nuk kanë prodhuar rezultate të mira për opozitën në tërësi.

Sali Berisha: Opozita ka filluar punën dhe së shpejti përfundon procesin e analizës dhe zgjedhjeve brenda partisë. Ndërkohë që po mendohet, po punohet edhe për zgjedhjet lokale. 
Pra nuk do jenë dy muaj përpara, ju siguroj do të jenë shumë më herët se zgjedhjet e fundit dhe ne do të bëjmë gjithçka për kandidaturat më të mira.

....

Qytetari: Përshëndetje Doktor, keni një koment për vetëshpalljen e kandidaturë së Erion Braçës apo është një lëvizje e Ramës pasi ka parë se Manastirliu nuk kishte asnjë shpresë të fitonte? Po PD me kë kandidat do të shkojë në zgjedhje në Tiranë?

Sali Berisha: Lidhur me deklaratën e Braçës, Braçe mbahet si përfaqësuesi i një partie që është zhdukur pa nam e nishan.

Në fakt nuk është zhdukur, por ka marrë trajtën e saj të re. Se kjo parti është themeluar në krim. Se kjo parti kaloi në pluralizëm në krim dhe tani në duart e Edi Ramës kjo është një parti e mirëfilltë krimi.

Ndaj dhe më mirë të mos komentoj për problemet e tyre.
PD pa diskutim që do u ofrojë qytetarëve, dhe kur të hapë diskutimet në mënyrë transparente kandidaturën më të shkëlqyer.
Do bëjë gjithçka për një front më të gjerë me të gjithë opozitën dhe t’i rikthejë kryeqytetin qytetarëve.
Ta nxjerrë nga kthetrat e mafies më të tmerrshme që Tirana ka njohur në jetën e saj gjer sot.