9 shtete kanë bllokuar integrimin për shkak të korrupsionit të tij/ Rama fyen shqiptarët: Mos e besoni
Pas raportimit të lajmit që mbajt fshehur nga qeveria se më 1 prill të këtij viti plot 9 shtete kanë bllokuar integrimin e Shqipërisë, Edi Rama mblodhi disa socialistë dhe u tha se kjo gjë nuk është e vërtetë.
9 shtete, duke përfshirë Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën, Suedinë, Austrinë, Finlandën, Poloninë, Greqinë dhe Bullgarinë nuk i kanë dhënë dritën jeshile raportit të IBAR, që do të bënte të mundur nisjen e mbylljes së kapitujve të integrimit.
Për Malin e Zi ky raport është miratuar në mënyrë unanime, ndërsa për Shqipërinë ka ngecur pasi Edi Rama vendosi të mbrojë veten e tij dhe Belinda Ballukun duke votuar në Kuvend për të mos lejuar arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.
Por sërish në mënyrë të turpshme, Rama tha se kjo gjë nuk është e vërtetë.
“Ka shumë zhurmë, shumë mjegull, shumë tym, shumë helm vërdallë dhe është bërë e pamundur të ndjekësh normalisht jetën publike dhe politike dhe të informohesh normalisht nga mediat për atë që ndodh në raport me gjërat që u interesojnë njerëzve dhe besoj e keni parë sa shumë është folur mbrapsht edhe për procesin e negociatave me BE-në, jo u bllokua, jo u ndalua, jo nuk bëhet kjo punë me Edi Ramën e PS-në, etj, etj”, tha Rama në takimin me socialistët.
“Nuk mjafton, ne mund ta kishim bërë të gjithën dhe nuk mjafton sepse vendi i vogël, populli i vogël nuk mjafton të bëjë më të mirën e vet por duhet edhe që të tjerët ta shohin me sy të mirë dhe janë bashkuar yjet e fatit dhe BE do që të na marrë brenda vetes. Dhe kjo është e jashtëzakonshme. Ky moment është konkret. Ne do bëjmë atë që kemi në dorë, do bëjmë të pamundurën që dera e hapur të mbyllet vetëm pasi të kemi hyrë ne brenda”, tha Rama.