Sot e Shtuna e Madhe e Pashkëve, në mbrëmje mesha në katedralen e 'Shën Palit'
Për besimtarët katolikë sot është e Shtuna e Madhe, dita e tretë e Treditëshit e Nata e Shenjtë e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit.
Në Tiranë besimtarët do të marrin pjesë në meshën që mbahet në Katedralen e "Shën Palit" nën udhëheqjen e Arqipeshkvit Metropolit, Imzot Arjan Dodaj.
Mesha nis në orën 21:45 dhe zgjat deri në orën 01:30 të mëngjesit të nesërm.
Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme, janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Jezu Krishtit.
Vetëm pas Vigjiljes kremtore – pas kësaj nate të pagjumë të së Shtunës së Madhe të Pashkëve, fillon gëzimi i Ngjalljes së Krishtit, fillon koha e Pashkëve e cila zgjat për 50 ditë, deri në festën e Rrëshajëve – Ardhjes së Shpirtit Shenjt Zot.
Simbolet
Nata e Pashkëve është plot me Simbole.
Kemi bekimin e dy elementeve të rëndësishme kozmike: zjarri i ri dhe uji.
Qiriu i bardhë ndizet nga zjarri i ri që bekohet në fillim të liturgjisë hyjnore të kësaj Nate të Pashkëve.
Qiriu simbolizon fitoren e Dritës së Krishtit të Ngjallur mbi errësirën e vdekjes.
Kremtimi i Natës së Pashkëve vijon me liturgjinë e Fjalës së Hyjit. Dymbëdhjetë lexime bible nga Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re
Pastaj, festa e madhe në tryezën e lulëzuar për të komunikuar me Qengjin e Pashkëve, me Krishtin e vdekur e të Ngjallur që shkëlqen mbi errësirat e mbi vetmitë shkatërrimtare.