Gazeta e Ekuadorit: Zbulohen lidhjet e biznesmenit dhe politikanit me mafien shqiptare

Nga Anny Bazan, EXTRA

Sipërmarrësi nga Orense në Ekuador, Hernán Ruilova Barzola, dyshohet se ishte kreu i një strukture kriminale me lidhje me mafien shqiptare.

Kështu informoi mëngjesin e djeshëm një oficer i Policisë Kombëtare që drejtoi hetimin që çoi në arrestimin e 16 personave në Ekuador (12 burra dhe katër gra) dhe nëntë të tjerëve në tre vende të Evropës.

Operacioni, i cili sipas ministrit të Brendshëm John Reimberg zgjati një vit e tetë muaj hetime, çoi gjithashtu në arrestimin e ish-deputetit të Partisë Social-Kristiane dhe ish-këshilltarit të Machala, Jorge Salomón Fadul Franco, i cili dyshohet se ishte president i një kompanie eksportuese bananesh që përdorej për të dërguar alkaloide (drogë) jashtë vendit.

Si pjesë e operacionit u kryen 26 kontrolle në provinca të ndryshme të vendit, mes tyre Guayas (në kantonet Guayaquil dhe Milagro), El Oro (konkretisht në Machala) dhe Pichincha (në Quito).

Ministri shpjegoi se përmes një pune të përbashkët mes Policisë Kombëtare dhe Prokurorisë, u arrit të çmontohej kjo organizatë kriminale e lidhur me mafien shqiptare, e cila merrej me dërgimin e substancave të paligjshme drejt Evropës.

Sipas ministrit të Brendshëm, bëhej fjalë për një grup shumë të organizuar, me strukturë hierarkike dhe role të qarta. Metoda kryesore e tyre ishte kontaminimi i ngarkesave të eksportit përmes porteve ekuadoriane me destinacion tregun evropian.

“Hetimi filloi pas operacionit Levisel, i kryer në provincën Loja, në sektorin Barbones, ku u sekuestrua gjysmë ton droge dhe u arrestuan tre shtetas ekuadorianë. Më pas u koordinua me njësitë antidrogë të Europol, Policinë e Antwerp-it, autoritetet e Holandës dhe DEA-n e Shteteve të Bashkuara, gjë që bëri të mundur zhvillimin e veprimeve operative edhe në territorin evropian”, sqaroi Reimberg.

Sekretari i shtetit detajoi se gjatë operacioneve u sekuestruan më shumë se 800.000 dollarë cash, bizhuteri ari dhe disa automjete me vlerë të lartë ekonomike.

Gjithashtu, para arrestimeve të kryera në Ekuador, në Holandë u zhvilluan operacione që çuan në sekuestrimin e 7.6 tonëve drogë, duke goditur ekonominë kriminale me rreth 346 milionë dollarë.