SYRI TV/ Berisha: Çmimi më i larti në Europë e botë, qeveria merr 60 % të çmimit për litër

Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se, krahasuar me fuqinë blerëse, çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në Europë dhe në botë. Berisha fajësoi qeverinë për taksat e larta mbi naftën, të cilat përbëjnë 60% të çmimit për litër që paguhet nga qytetarët. Ai deklaroi se Partia Demokratike do të paraqesë në parlament një nismë ligjore për përgjysmimin e taksave mbi naftën, si mënyra më e mirë për uljen e çmimit të karburanteve.

Rritja e shfrenuar e çmimit të naftës dhe pasojat e saj në ekonomi ishin në qendër të një takimi të zhvilluar nga Departamenti i Burimeve Natyrore, Ekonomisë, Financave, Bujqësisë dhe Çështjeve Sociale të Partisë Demokratike. Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se, në raport me fuqinë blerëse të shqiptarëve, çmimi i naftës është aktualisht më i larti në Europë dhe në botë.

Berisha akuzoi qeverinë e Kryeministrit Rama se, përmes taksave, merr 60% të çmimit të naftës për çdo litër të blerë nga qytetarët. Ai tha se ndëshkimi financiar ndaj qytetarëve arrin në 2.6 miliardë euro dhe renditi kostot e rënda që vijnë nga çmimi i lartë i karburanteve.

Berisha iu kundërpërgjigj deklaratave të fundit të Kryeministrit Rama për të ashtuquajturin gjurmim të naftës dhe theksoi se autori kryesor i kontrabandës së naftës është qeveria. Lideri demokrat e cilësoi propozimin për krijimin e një kompanie shtetërore për karburantet si një mundësi që qeveria krijon për të përfituar më shumë.

Ai shtoi se Partia Demokratike do të prezantojë në Parlament nismën ligjore për përgjysmimin e taksave mbi karburantet, si mënyra më e mirë për uljen e çmimit të naftës.

Sipas tij, në krahasim me fuqinë blerëse, shqiptarëve nafta u kushton disa herë më shumë se në vendet europiane. Ai theksoi se nuk ka vend tjetër që të ketë një ngarkesë kaq të lartë taksash, prej 60%, mbi çmimin e karburantit.

Berisha kujtoi se në vitin 2013 taksa e qarkullimit ishte 7 lekë dhe më pas u rrit disa herë, ndërsa akciza është bërë e indeksueshme me inflacionin, duke rritur çdo vit barrën mbi qytetarët.

Ai akuzoi qeverinë për mashtrime dhe përpjekje për të mbuluar, sipas tij, ndëshkimin ekonomik ndaj qytetarëve përmes çmimit të lartë të naftës. Sipas Berishës, ky ndëshkim përkthehet në kosto të larta për fermerët, rritje të çmimeve të transportit dhe ushqimeve, si dhe vështirësi të mëdha ekonomike për familjet shqiptare.

Duke folur për tregun e karburanteve, Berisha tha se dy janë arsyet kryesore të çmimit të lartë: ngarkesa e lartë fiskale dhe niveli i lartë i informalitetit dhe kontrabandës. Ai kritikoi idenë e krijimit të një kompanie shtetërore për karburantet, duke theksuar se kjo nuk do të ulë çmimet, por do të rëndojë më tej situatën.

Në përfundim, Berisha deklaroi se Partia Demokratike është e vendosur që si hap të parë të ndërmarrë përgjysmimin e barrës fiskale mbi karburantet dhe se në Parlament do të kërkojë edhe hetim për funksionimin e tregut të naftës dhe institucionet përgjegjëse.