Lezhë, besimtarët katolikë kremtojnë 'Udhën e Kryqit' në të Premten e Madhe
Besimtarë katolikë në Lezhë kanë kremtuar të premten e zezë, e njohur ndryshe si “Udha e Kryqit”, duke nderuar në këtë mënyrë vuajtjet e Jezu Krishtit. Dhjetra qytetarë iu bashkuan ritualit, duke u nisur nga sheshi “Gjergj Kastrioti” dhe marshuar deri në kalanë e qytetit, të udhëhequr nga përfaqësues të klerit katolik.
E premtja e Madhe është dita më e rëndësishme e Javës së Pashkëve, dhe mesazhi që na jep Jezu Krishti është të jetojmë në paqe dhe të duam njëri-tjetrin, u shpreh Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale.
“E premtja e Madhe është një ditë reflektimi dhe lutjeje, për të përjetuar mesazhin e dashurisë dhe paqes që na la Jezusi.”- u shpreh Imzot Otavio Vitale, Ipeshkëv i Dioqezës Lezhë
Rituali i “Udhës së Kryqit” përfshin 14 ndalesa, ku besimtarët bëjnë lutje dhe përkujtojnë mundimet e Jezusit gjatë rrugëtimit të tij drejt kryqit. E premtja para Pashkës shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjet e tij me kryqin mbi shpinë.