VIDEO/ Blushi: Rama urren parlamentin, Kuvendi është kthyer në ‘rrobaqepësi ligjesh’ për oligarkët

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se parlamenti shqiptar ka humbur funksionin e tij kushtetues, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për kapje të institucioneve dhe shkatërrim të pluralizmit politik.

I ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’, me moderator Bled Markun, Blushi u shpreh se Rama ‘urren parlamentin, sepse urren demokracinë dhe pluralizmin’, duke e cilësuar atë si një lider që nuk respekton pavarësinë e institucioneve.

Sipas tij, Kuvendi është shndërruar në një ‘rrobaqepësi që qep ligje me porosi’, duke miratuar akte që favorizojnë oligarkët dhe klientët e qeverisë. Ai përmendi si shembuj ligjin e lobimeve, të cilin opozita e ka lidhur me çështjen McGonigal, si dhe projektligjin për parkun ‘Durana’, për të cilin tha se ‘nuk është park, por një livadh’.

Ai vuri në pikëpyetje edhe rolin e drejtuesve të Kuvendit, duke deklaruar se posti i kryetarit ka humbur legjitimitetin, ndërsa përmendi emrat e Niko Peleshi dhe Taulant Balla si figura që, sipas tij, zbatojnë urdhrat e kryeministrit.

‘Edi Rama e urren parlamentin, sepse ai në fakt urren pluralizmin politik dhe demokracinë. Ë, Edi Rama është një pinjoll diktator, nga i cili nuk duhet të presim që të respektojë pavarësinë e institucioneve. Për më tepër kur është certifikuar si shkatërruesi i dhe kapësi kryesor i të gjithë institucioneve të të pavarura.

Për fat të keq sot kemi një parlament i cili e ka humbur funksionin e tij. Unë e krahasova dje me një rrobaqepësi që thjesht qep ligje me kostume, pra ligje me porosi për oligarkët dhe për klientët e Edi Ramës, apo ligje të cilat në fakt përpiqen të amnistojnë Edi Ramën nga aktet e tij kriminale dhe korruptive.

I referohem ligjit të lobimeve që ne kemi cilësuar si ligji i çështjes McGonigal apo projektligji që u miratua dje me votat e Rilindjes për parkun Durana, kur realisht aty nuk ka park, po ka vetëm një livadh ku kullosin lopë. Pra, parlamenti për fat të keq e ka humbur funksionin e tij dhe sikundër e patë, është i vetmi parlament në botë ku hidhet në votim kërkesa për të mos diskutuar.

Pra, kërkojnë thjesht një parlament kartonash ku të ngrihen dhe të ulen kartonat sipas oreksit dhe shijeve të të Edi Ramës për ligjet të cilat ai në fakt nuk janë ligje që e kanë fokusin tek interesi publik, por janë ligje të kopsitura, ligje të porositura, ligje të cilat synojnë vetëm zhvatjen e pandalshme të buxhetit dhe të taksave të shqiptarëve.

Ndaj ajo çfarë ndodhi dje ishte një seancë e cila për fat të keq po përsëritet çdo javë, ku sigurisht edhe posti i kryetarit të kuvendit e ka humbur legjitimitetin. Niko Peleshi është kthyer thjesht dhe vetëm në një aktor që merr rrogën, sepse aty gjithçka vendoset nga tjetërkush dhe jemi të bindur që edhe Taulant Balla bën atë se, atë çfarë i thotë Edi Rama.

Aty janë 83 Diella të cilat nuk kanë dalë nga vullneti i i popullit, por janë aty për të mbrojtur interesat kriminale të grupeve të cilat përfaqësuesit e deputetëve të kësaj mazhorance ilegjitime i kanë çuar në atë në atë kuvend, dhe pjesa tjetër janë thjesht Diella që Edi Rama i ka vënë aty jo për të folur, jo për të propozuar ligje në funksion të interesit publik, po thjesht dhe vetëm për të bërë zhurmuesin, provokatorin, edhe deri për t'u përpjekur për t'u konfliktuar fizikisht me deputetët e opozitës.

Megjithatë, ne si opozitë, pra grupi parlamentar i Partisë së Lirisë sëbashku me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, jemi të vendosur për të ruajtur themelet e këtij institucioni.’, u shpreh ndër të tjera Tedi Blushi në SYRI TV.