SYRI TV/ Dëshmia e Jozef Hejsek reagon Ilir Meta: Dëshmia u mbajt e fshehur nga SPAK

Pas publikimit të dëshmisë së Jozef Hejsek, ka reaguar edhe presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Në reagimin e tij, Meta thotë se do të publikohen edhe të dhëna të tjera në lidhje me dosjen CEZ-DIA, të cilat, sipas tij, janë mbajtur të fshehta nga SPAK. Pas statusit të Metës ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili u shpreh se për çështjen CEZ-DIA duhet të merret nën hetim Edi Rama.

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar dëshminë e Josef Hejsek, ish-drejtues i CEZ në Shqipëri në kohën kur kjo kompani ka lidhur marrëveshjen e saj me DIA. Dëshmia e zotit Hejsek përjashton përfshirjen e zotit Meta në lidhjen e marrëveshjes së CEZ me DIA-n. Në një status në Facebook, Meta thotë se kjo dëshmi është mbajtur e fshehtë nga SPAK.

“Këtë deklarim të tij, prokurorët e SPAK-ut e fshihnin me këmbëngulje për një kohë të gjatë, deri në seancën paraprake, kur e kuptuan që ne e dispononim këtë provë ligjore. Siç e shihni, këtu jo vetëm që nuk përmendet Ilir Meta, por as Qazim Tepshi, ish-ambasador, as Sali Berisha, ish-kryeministër, dhe askush tjetër. Këtu tregohet se jo vetëm procesi është bërë i hapur, por se vendimtare për vendimin që është marrë në Pragë kanë qenë referencat që janë paraqitur nga DIA e Uashingtonit, që sipas tyre kishte përvojë prej 4 miliardë dollarësh për mbledhjen e borxheve dhe garancitë që i ishin dhënë nga kompanitë amerikane në Çeki.”

Në lidhje me këtë postim të zotit Meta ka reaguar edhe Tedi Blushi. Në një deklaratë për mediat, Blushi u shpreh se Partia e Lirisë do të vijojë të publikojë të dhëna dhe se për këtë çështje duhet hetuar Edi Rama.

“Tanimë është e qartë si drita e diellit se hetimi 6-vjeçar ndaj Presidentit Meta, i nisur nga kallëzues të rremë dhe me probleme me drejtësinë, jo vetëm që ka prodhuar zero fakte penale kundër tij, por edhe se standardet e këtij procesi po faktohet se kanë qenë identike me standardet e rrëmbimit kriminal dhe me ato të paraburgimit politik, ku z. Meta, në kundërshtim me ligjin, Kushtetutën dhe KEDNJ, vijon të qëndrojë në izolim ekstrem për më shumë se 18 muaj. Për çështjen CEZ-DIA, i pari dhe i vetmi njeri që duhet hetuar dhe të merret i pandehur është Edi Rama, i cili i fali 479 milionë euro CEZ-it, duke i shkaktuar një dëm kolosal buxhetit të shtetit, por që, afërmendsh, as nuk hetohet dhe as nuk merret i pandehur nga prokuroria e tij politike, edhe pse ka një padi zyrtare nga KLSH, që vazhdon të ‘flejë’ në Prokurori.”