Ish-piloti sulmon Verstappen: Ose largohu nga Formula 1, ose hesht!

Një debat i fortë ka shpërthyer në botën e Formula 1, pasi ish-piloti britanik Martin Brundle ka kritikuar hapur Max Verstappen për deklaratat e tij të fundit.

Brundle, i cili garoi në Formula 1 nga viti 1984 deri në 1996 dhe sot është komentator në “Sky Sports”, nuk i kurseu fjalët ndaj kampionit të botës, duke thënë se është lodhur nga ankesat e tij të vazhdueshme për formatin aktual të garave.

Përplasja e deklaratave erdhi pas Japanese Grand Prix, ku Verstappen shprehu sërish pakënaqësinë për epokën e re të motorëve hibridë 50/50, duke theksuar se nuk po i sjell më kënaqësi garimi.

Kjo ka bërë që Brundle të reagojë ashpër: “Ose largohu, ose ndalo së foluri për këtë”.

Britaniku shkoi edhe më tej duke e krahasuar Verstappenin me legjendën Michael Schumacher.

Sipas tij, gjermani nuk do t’i ekspozonte kurrë problemet e sportit në publik dhe gjithmonë do të punonte në heshtje me skuadrën, edhe në momentet më të vështira.

“Schumacher nuk do të dilte kurrë kundër ekipit të tij në publik. Ai do të reagonte në privat dhe më pas do të përfaqësonte skuadrën me dinjitet”, u shpreh Brundle, duke shtuar se qëndrimi i Verstappen po i bën dëm imazhit të sportit.

Ai theksoi gjithashtu se Formula 1 nuk varet nga një individ i vetëm, duke përmendur emra të rinj si Andrea Kimi Antonelli, Oliver Bearman dhe Arvid Lindblad, që presin mundësinë e tyre në elitë.

Nga ana tjetër, Verstappen është justifikuar duke thënë se kritikat e tij lidhen me mungesën e emocionit në Formula 1 aktuale, jo me rezultatet e dobëta të Red Bull Racing. Megjithatë, Brundle mbetet i bindur: “Kur makina nuk është konkurruese, pilotët flasin më shumë. Kur fitojnë, heshtin”.