Dhunë në mes të ditës në Vlorë, mësuesja sulmohet pranë banesës: Familjarët kërkojnë drejtësi
Një ngjarje e rëndë është regjistruar ditën e djeshme në qytetin e Vlorës, në zonën e rrugës Transballkanike, ku një 45-vjeçare me inicialet E.L., me profesion mësuese, ka rënë pre e një sulmi fizik.
Sipas familjarëve, konflikti ka nisur prej disa muajsh për shkak të mosmarrëveshjeve me administratoren e pallatit, lidhur me tarifat e mirëmbajtjes dhe mungesën e transparencës për shërbimet. Situata, sipas tyre, është përshkallëzuar që prej muajit dhjetor.
Babai i 45-vjeçares, 71-vjeçari Ilirian Lena, në një prononcim për mediat, tregon se jo vetëm vajza e tij, por edhe ai vetë është përballur me dhunë dhe kërcënime.
“Personi në fjalë erdhi bashkë me disa të tjerë dhe pa asnjë arsye filloi të më sulmojë fizikisht. Goditja ishte shumë e fortë, saqë humba ndjenjat për disa momente. Pas kësaj, kemi bërë denoncim në polici, por ndihemi të kërcënuar dhe të pasigurt,” – shprehet ai.
Ndërkohë, vetë 45-vjeçarja rrëfen momentet e frikshme të sulmit, duke akuzuar bashkëshortin e administratores së pallatit si autor të ngjarjes.
Sipas saj, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, ndërsa po lëvizte nga banesa e saj drejt shtëpisë së prindërve.
“Papritur, një person i veshur me rroba të zeza dhe me kapuç më doli përpara. Pa asnjë paralajmërim më kapi për fyti, më shante dhe më shtynte. Ishte një moment shumë i frikshëm,” – tregon ajo.
Ajo shton se agresori e ka ndjekur edhe në ambientet e pallatit, duke e kërcënuar dhe tentuar t’i marrë telefonin për të mos lajmëruar askënd. Sipas saj, më vonë ka arritur ta identifikojë autorin.
Banorët e pallatit pretendojnë se tarifat për ashensorin dhe mirëmbajtjen janë të larta dhe të pajustifikuara, çka ka sjellë edhe tensione dhe refuzim pagesash nga disa familje.
Familjarët kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të institucioneve për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave ndaj personave përgjegjës, ndërsa theksojnë se situata ka krijuar frikë dhe pasiguri për të gjithë banorët e zonës.
Rasti është denoncuar në polici dhe pritet që hetimet të hedhin dritë mbi rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje.