Tiranë/ Ktheu qendrën e fizioterapisë në bazë prostitucioni, arrestohet 40-vjeçarja

Policia e Tiranës, pas një hetimi 3-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit në kryeqytet.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasen B. G., 40 vjeçe, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, ndërsa proceduan në gjendje të lirë një 41-vjeçare, për veprën penale “Prostitucioni”.

Nga hetimet rezulton se në ambientet e një subjekti të regjistruar si qendër fizioterapie, në rrugën “Ismail Qemali”, në pronësi të 40-vjeçares, shfrytëzohej për prostitucion shtetasja 41-vjeçare.

Gjatë operacionit policor, si provë materiale u sekuestrua edhe një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore.