PAMJE/ Ortek masiv në Valbonë, autoritetet thirrje alpinistëve: Bëni kujdes
Një ortek i fuqishëm është regjistruar pasditen e së enjtes në zonën e Valbonës, në Tropojë, duke sjellë pamje mbresëlënëse, por edhe shqetësuese nga Alpet shqiptare.
Pamjet janë realizuar nga Klubi Alpin Prishtina, i cili ka filmuar momentin kur një masë e madhe dëbore shkëputet nga mali dhe zbret me shpejtësi drejt luginës, duke krijuar një re të dendur të bardhë që mbulon të gjithë zonën
Nga pamjet shihet qartë forca e ortekut, i cili përhapet në një sipërfaqe të gjerë përgjatë shpatit të malit, duke treguar intensitet të konsiderueshëm të rrëshqitjes së masës së dëborës
.Fatmirësisht, në zonën ku ka ndodhur orteku nuk ka banesa dhe nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme materiale.
Ngjarja vjen në një kohë kur fluksi i vizitorëve në Alpet shqiptare mbetet i lartë, ndërsa autoritetet lokale apelojnë për vigjilencë maksimale, sidomos në shtigjet malore dhe zonat e ekspozuara ndaj rrezikut të orteqeve.