'Qeveria përgjegjëse për gjendjen e Policisë/ Gjekmarkaj: Projektligji për policët e rënë, provë ndërgjegjeje kombëtare
Nënkryetari i Parlamentit dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke publikuar fjalën e tij të mohuar gjatë seancës parlamentare.
Në reagimin e tij, Gjekmarkaj ngre shqetësimin për atë që e cilëson si një “përmbysje të rrezikshme”, ku sipas tij policia po përballet me opozitën, ndërsa krimi po sfidon shtetin. Ai thekson se kjo situatë lidhet me protestat e opozitës kundër, siç shprehet, bllokimit të drejtësisë dhe pengesave në procesin e integrimit europian.
Gjekmarkaj ndalet edhe te një projektligj i propozuar nga deputeti Klevis Balliu, i cili parashikon kalimin e pasurive të sekuestruara nga krimi në mbështetje të familjeve të policëve të rënë në detyrë. Sipas tij, ky është një ligj që “ndan qartë botën e krimit nga ajo e sakrificës” dhe duhet të miratohet. Në të njëjtën kohë, ai kritikon gjendjen e Policisë së Shtetit, duke pretenduar se ajo po përdoret politikisht dhe jo në funksion të luftës kundër krimit. Deputeti përmend raste të dhunës ndaj qytetarëve dhe përplasje me përfaqësues të opozitës, përfshirë edhe incidente ndaj liderit të opozitës, Sali Berisha.
Ai akuzon gjithashtu qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi në këtë situatë, duke përmendur edhe raste të pazbardhura kriminale dhe duke vënë në pikëpyetje funksionimin e strukturave të rendit. Gjekmarkaj bën thirrje për miratimin e projektligjit dhe për rikthimin e dinjitetit të Policisë së Shtetit, duke theksuar se “pa një polici të lirë, nuk ka shtet të lirë”.
Gjekmarkaj:
Fjala ime e mohuar sot në Parlament nga mazhoranca
Sot kemi një përmbysje të rrezikshme: Policia përballet me opozitën, ndërsa krimi sfidon shtetin. Pse ndodh kjo? Sepse opozita proteston për bllokimin e drejtësisë dhe pengesat që i vendosen integrimit europian si pasojë e këtij sistemi.
Sot diskutojmë një projektligj që nuk është thjesht një akt ligjor, por një provë ndërgjegjeje kombëtare: nismën e paraqitur nga kolegu Klevis Balliu për kalimin e pasurive të sekuestruara nga krimi në mbështetje të familjeve të policëve të rënë në detyrë.
Ky është një ligj që ndan qartë dy botë: botën e krimit që pasurohet padrejtësisht, dhe botën e sakrificës që shpesh harrohet padrejtësisht.
Ne sot duhet të zgjedhim:
Në anën e kujt jemi?
Sepse policët që bien në detyrë nuk janë statistika. Ata janë jetë të ndërprera, familje të shkatërruara, fëmijë që rriten pa prindër. Dhe shteti ka detyrimin moral që të mos i lërë vetëm.
Prandaj, ky projektligj është i drejtë, i nevojshëm dhe duhet votuar.Por nuk mund të flasim për nderimin e policëve të rënë dhe të heshtim për gjendjen ku ndodhet sot Policia e Shtetit.
Policia po denatyrohet.
Në vend që të jetë në ballë të luftës kundër krimit, ajo po përdoret si instrument kundër opozitës. Kemi parë dhunë ndaj qytetarëve.
Kemi parë goditje ndaj deputetëve si Xhelal Mziu dhe Bledion Nallbati me qetesi olimpike dhe vendosmeri politike ! Kemi parë goditjen e liderit të opozitës, Sali Berisha me topa uji dhe spraj ne fytyre !
Sepse sot kemi një përmbysje të rrezikshme: Policia përballet me opozitën, ndërsa krimi sfidon shtetin.Pse ndodh kjo? Sepse opozita proteston për bllokimin e drejtësisë dhe pengesat që i vendosen integrimit europian si pasojë e këtij sistemi.
Policët në Shqipëri janë të keqpaguar, të keqpërdorur dhe të shantazhuar politikisht. Ata përballen çdo ditë me rrezik, por nuk vlerësohen. Ata urdhërohen shpesh jo sipas ligjit, por sipas interesave. Dhe shumë prej tyre jetojnë nën presion të vazhdueshëm.
Megjithatë, brenda radhëve të saj ka ende profesionistë të ndershëm. Por ata sot janë nën presion nga drejtues të emëruar jo mbi bazë merite, por mbi interesa.
Pse ndodh kjo?
Pse krimi duket sikur është një hap përpara shtetit? Pse në qytete si Shkodra, Elbasani, Durrësi apo Fieri, perceptohet se emërimet në polici nuk ndikohen më as nga meritokracia dhe as thjesht nga politika… por nga vetë krimi dhe bandat?
Nëse krimi ndikon policinë, atëherë kemi një përmbysje totale të rendit: nuk është më policia që lufton krimin, por krimi që dikton policinë.
Një simbiozë mes qeverisë dhe krimit nuk është më teori. Është realitet: Krimi është preferencial në tendera, zgjedhje dhe përzgjedhje drejtuesish. Investon në ekonomi, ndërtim, kulla që po mbijnë në Tiranë. Media ndërkombëtare si Rai 3 ka dokumentuar këtë.
Kur flasin të huajt dhe hesht shteti, problemi është më i madh se ç’duam ta pranojmë. Në fund të fundit, nuk është rastësi që kjo ndodh nën qeverinë e Edi Rama.Kur profesionistët e ndershëm tallen, kur meritokracia poshtërohet dhe institucionet politizohen, përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe qeverinë.
Përveç kësaj, kemi shembuj të qartë si manipulohet Policia e Shtetit. U organizua një konkurs për Drejtorin e Policisë, i cili duhet të ishte shembull transparence dhe meritokracie. Por çfarë ndodhi? Një konkurs fallco. Prej javësh dihej se kush do të emërohej: Skënder Hitaj.Mesazhi është i qartë: nuk fiton më i zoti, fiton më i binduri. Qytetarët presin përgjigje.
Çfarë përgjigje jep ministri Besfort Lamallari për vrasjet e Brilant Martinajt, Besmir Hoxhës, Diklen Vatës tek ura e Fushë Krujës në mes te dites, në rrugen nacionale më me trafik në Shqipëri apo zhdukjen e Ervis Martinaj menjeherë më pas? A është dorëjashtë policia e shtetit në keto ngjarje kriminale? Kanë kaluar vite. Përgjigjja mungon.
Ky projektligj është një hap i drejtë, por nuk mjafton. Ne duhet të rikthejmë dinjitetin e policisë dhe ta çlirojmë nga presioni politik dhe kriminal.
Sepse në fund të fundit, pyetja është shumë e thjeshtë: pse japin jetën policët? Për shtetin, për ligjin, për qytetarët. Le ta votojmë këtë projektligj dhe le të ndryshojmë këtë realitet. Sepse pa një polici të lirë, nuk ka shtet të lirë.
Dhe për t’u mbyllur me një notë cinike:
Po behemi kurioz pse : ende krimi nuk po merret me letësi, histori, muzikë dhome apo balet klasik… se vetë këto zhanre për momentin kanë mbetur jashtë vemendjes së tij!