Hakmarrje pas protestës? Fermerit në Dimal i kërkohet leje ndërtimi për serën, Oshafi: Rrezikoj 50 milionë lekë

Një situatë e pazakontë dhe e tensionuar po zhvillohet në zonën e Samaticës në Dimal, ku një fermeri, i cili ka qenë pjesë e protestave për më shumë mbështetje në bujqësi, i është kërkuar nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të paraqesë leje ndërtimi për serën e tij.

Në një intervistë në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, fermeri Qamil Oshafi pretendoi se kjo lëvizje është një formë hakmarrjeje direkte për shkak të zërit të tij kritik ndaj abuzimeve me fondet dhe mungesës së subvencioneve. Ngjarja vjen pak kohë pasi fermerët e zonës së Kutallisë organizuan protesta për të kërkuar më shumë mbështetje nga shteti. Si për ironi, menjëherë pas këtyre protestave, IKMT-ja e Bashkisë Dimal ka nisur kontrollet në zonë, duke vënë në shënjestër serën e zotit Oshafi me kërkesën absurde për një leje ndërtimi, një dokument që, sipas fermerit, nuk i është kërkuar kurrë askujt në zonë për struktura të tilla.

QAMIL OSHAFI: Edhe neve para pak ditësh e morëm vesh këtë pjesë. Vetëm nga inspektoriati i Bashkisë Dimalit. Inspektori i IMT-së. Sepse dhe ne nuk e dinim që lejet, serat donin leje. Në momentin që ne ndërtojmë serra, këta nuk na kërkojnë leje, nuk vijnë na ndalojnë, na thonë që po, ka një kriter për ndërtimin e serës. Mjafton të jesh në tokën tënde sepse serat ëh, janë shtylla betoni dhe disa fije hekuri të salduara, të mbuluara me plastmas, që në qoftë se ne nuk dalim mirë, nuk na del ‘rroga’ për shembull, burrë e grua për t'u ushqyer, i bie që të t'i lëmë siç janë pastaj. Grishet plastmasi dhe i lëmë kështu, nuk kemi çfarë t'u bëjmë më, se s'kemi lekë që t'i prishim.

Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka kërkuar leje ndërtimi të serës, projektin teknik për ndërtimin e serës. Edhe, kur më ka prurë dokumentin e parë, më ka kërkuar certifikatën e tokës, që toka është me certifikatë, është në pronë në emër të babait. Nuk e kam në emrin tim, është në emër të babait. Edhe, po nuk kisha leje ndërtimi të serës, nuk ka, sepse në të gjithë zonën nuk ka asnjë leje ndërtimi të sere.

Jo, në qoftë se do jenë ndërtuar me leje ndërtimi, këto serat izraelite që bëhen me AZHBR-në, me subvencionimin e AZHBR-së, mbase, po prapë nuk jam i sigurt. Jo serat që janë ndërtuar vullnetarisht nga fermeri. Serra ne i kemi ndërtuar vullnetarisht. Jemi të vetëpunësuar te kjo punë.

Po që për fermerët e zonës Samaticë, Dronovic, Goriçan, nuk ka marrë asnjëherë subvencione. Sepse subvencionet që kemi marrë ne, që janë marrë nga AZHBR-ja, janë qesharake, janë thjesht për si të them, pi një kafe. Sepse nuk justifikojnë asgjë, tek fidani i serave, tek, tek nafta nuk justifikon asgjë, tek asgjë me një fjalë. Janë thjesht qesharake, thjesht stimulim hajd se po u japim fermerëve dhe asnjë gjë më tepër. Të gjithë shkruajnë nëpër kronikat që dhanë mediat, që kjo është qesharake, sepse po qe se do prishin serën, t'i prishnin të gjitha radhë, pse ta bënin shembull vetëm një serë? Dhe me sa kam kuptuar unë, te pjesa ime ka nisur si tip hakmarrje, se unë jam ankuar i pari për pjesën e një muri që më është ndërtuar kufi me serën, dhe i kam kërkuar inspektorit të Bashkisë Dimalit vetëm largësinë e murit. Të ulet largësia e murit dhe jemi ok. Sepse kështu siç është ndarë toka me ligjin 7501, copa-copa, nuk kemi çfarë të bëjmë. Po të lëmë 2 metra nga një krah, 2 metra nga krahu tjetër, i bie këtu mos ndërtohet serë. E kuptoj. Dhe kjo pjesa e serës time ka nisur hakmarrje nga, nga inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit.

Sera është me sallator për momenti. Bima është në vjelje, kemi filluar vjeljen po bëjmë një muaj. Jemi në mes të prodhimit. Në këtë fazë që jemi tani, dëmi shkon 50 milionë lekë, sepse sera po filloi të prishet, shkatërrohet komplet struktura dhe duhet të ndërtohet nga e para. Që të ndërtosh një serë sot nga e para, shkon 13 milionë lekë dylimi, të vjetra.