Torino synon Ylber Ramadanin, trajneri D’Aversa kërkon besnikun e tij në mesfushë

Torino ka nisur të lëvizë konkretisht në merkato, duke treguar ide gjithnjë e më të qarta për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm.

Në fokusin e klubit “granata” është Ylber Ramadani, një profil që vlerësohet shumë nga trajneri Roberto D’Aversa.

Sipas raportimeve të “Tuttosport”, kjo nuk është thjesht një pistë e rastësishme.

Lidhja mes trajnerit dhe mesfushorit shqiptar daton që nga koha te Lecce, ku Ramadani u shndërrua në një nga elementët më të besueshëm të sistemit të D’Aversës.

Pikërisht kjo njohje e ndërsjellë mund të luajë një rol kyç në realizimin e transferimit.

Torino po kërkon të riformësojë mesfushën dhe Ramadani shihet si një element ideal për të sjellë ekuilibër dhe qëndrueshmëri. Përvoja e tij në Serie A dhe aftësia për të interpretuar role të ndryshme në repartin e mesit e bëjnë një profil të vlefshëm për objektivat e klubit.

Edhe nga ana financiare, operacioni duket i arritshëm. Kostoja e kartonit të tij vlerësohet rreth 2.5 milionë euro, një shifër relativisht modeste për një lojtar që tashmë është ambientuar me kampionatin italian dhe që mund të japë kontribut të menjëhershëm.

Gjithçka mund të varet nga lëvizjet në dalje, por sinjalet janë të qarta: Torino e sheh Ramadanin si një pjesë të rëndësishme të projektit të ri dhe është gati të bëjë hapa konkretë për ta afruar në “Olimpico Grande Torino”.