Vokshi: Rama dhe Balla strategji për të sabotuar parlamentin dhe për t'i mbyllur gojën opozitës
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi e ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës socialiste, duke pretenduar se Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, po orkestrojnë një strategji të qëllimshme për të sabotuar punën e parlamentit dhe për të heshtur zërin e opozitës.
Sipas deputetes demokrate, situata në seancat plenare është bërë e papërballueshme, pasi mazhoranca po e bën "gjithmonë e më të vështirë" zhvillimin normal të tyre. Ajo argumenton se kjo rrjedh nga fakti që "Edi Rama e urren parlamentin", pasi ai është i vetmi institucion ku ekziston ende opozita dhe kritika.
Vokshi pretendon se drejtuesi real i seancave nuk është kryeparlamentari Niko Peleshi, por Taulant Balla.
"Në Kuvend nuk drejton Niko Peleshi, është Taulant Balla që drejton. Është ai që i jep urdhra Niko Peleshit", deklaroi Vokshi, duke shtuar se për deputetët e PD-së është bërë pothuajse e pamundur marrja e fjalës për çështje procedure.
Duke shpjeguar tensionet e fundit në Kuvend, Vokshi tha në bisedë me moderatorin Flavio Qarri se gjithçka buron nga moszbatimi i rregullores. Sipas saj, pesë deputetë të opozitës kishin kërkuar fjalën për procedurë, një e drejtë që u garantohet nga neni 49, por Peleshi, i udhëzuar nga Balla, ua mohoi këtë të drejtë dhe ia kaloi fjalën një deputeteje socialiste.
"E gjitha kjo shkakton debat, shkakton konflikt, provokon konflikt. Po krijohet një situatë konfliktuale që rrjedh vetëm nga moszbatimi i rregullores", theksoi ajo.
Vokshi tha se disa prej deputeteve gra të mazhorancës kanë ardhur në parlament me mbështetjen e bandave kriminale.
"Atë karriken aty e kanë arritur ose nëpërmjet bandave. Ka gra aty që janë mbështetur. Ka në Fier... ka në Elbasan që janë mbështetur nga bandat kriminale", deklaroi Vokshi.
Flavio Qarri: Nuk duket se ka qenë dhe aq e lehtë të zhvillosh çështje kuvendare apo parlamentare kohën e fundit në Kuvendin e Shqipërisë, edhe për ju veçanërisht.
Albana Vokshi: Po e bëjnë gjithmonë e më të vështirë dhe kjo vjen, mendoj unë, prej faktit që Edi Rama e urren parlamentin. Dhe, ju e dini, parlamenti është e vetmja hapësirë në të cilën ka edhe opozitë. Edi Rama nuk do opozitë, Edi Rama nuk do kritikë. I mbyt zërat brenda dhe jashtë. Mendon që ai duhet të kontrollojë të gjitha pushtetet, ka pjesën më të madhe të pushteteve, ka edhe më shumë pushtet sesa diktatorët, por e do edhe atë pjesën e vogël që ka mbetur në parlament. Ai do që ta kontrollojë. Nëse nuk e kontrollon dot, atëherë mundohet që ta prishë. Dhe ka gjetur njeriun e duhur, Taulant Ballën i cili, të gjithë e dinë se çfarë përfaqëson në atë parlament. Lidhjet e tij, si ka ardhur, karriera e tij, lidhjet me bandat. Pra, unë besoj që nuk ka shqiptar që nuk e njeh për çfarë simbolizon Taulant Balla. Ndaj Kuvendin nuk e drejton Niko Peleshi, është Taulant Balla që drejton. Është ai që i jep urdhra Niko Peleshit. Pra, në një farë mënyre për grupin parlamentar të Partisë Demokratike, është bërë pothuajse e pamundur që të marrësh fjalën për procedurë, të marrësh fjalën për replikë.
Flavio Qarri: Megjithatë edhe ju jeni në një pozitë të pamundur se duket se strategjikisht është e pamendueshme këtë herë që ta braktisni sërish Kuvendin.
Albana Vokshi: Neve presim që të na japë fjalën. Dhe neni 49 i rregullores, fjalia e parë fare thotë që fjala për procedurë jepet menjëherë. Ndërkohë që Niko Peleshi nuk e jep fjalën, ishin pesë deputetë që ishin në listë që kishin kërkuar për, procedurë dhe ai çfarë bën, e kalon në diskutime. Ia heq fjalën edhe, njërës prej kolegeve tona dhe ia kalon një deputeteje të Partisë Socialiste. E gjitha kjo shkakton debat, provokon konflikt. Pra, me drejtimin apo mosdrejtimin ashtu siç duhet bazuar në rregullore dhe në Kushtetutë, Niko Peleshi, i urdhëruar nga Taulant Balla, po krijon një situatë konfliktuale. Gjithçka rrjedh nga moszbatimi i rregullores. Gjithçka. Ato pamje që juve shihni aty, vijnë vetëm nga moszbatimi ashtu siç duhet i rregullores së Kuvendit. Nëse zbatohet rregullorja, atëherë seanca rrjedh qetë, rrjedh ashtu siç duhet. Por, nuk ia jep fjalën Belind Këlliçit, Klevis Balliut, Gent Strazimirit, mua, Jozefina Topallit, Gazment Bardhit, Flamur Nokës. Ia heq fjalën edhe Elda Hotit dhe ia jep socialistëve. Për çfarë bëhet kjo? Pra, kjo ka një qëllim.
Flavio Qarri: Cili është plani i tyre final?
Albana Vokshi: Të mos bëhet debat. Të mos diskutohet. Sepse parlamenti...
Flavio Qarri: Dhe pastaj ju prishni seancën, apo jo?
Albana Vokshi: Neve nuk kemi arsye për të prishur. Neve nuk kërkuam që të përfundojë. Ne i kërkuam Niko Peleshit që të na japë fjalën. Dhe vetëm i dha urdhër Taulant Balla dhe e mbylli, siç ka mbyllur shumë e shumë seanca të tjera pa debat. Siç mbylli për programin e qeverisë. E mbani mend për sa u votua? Për 28 minuta programi i qeverisë, që në fakt ishin 1400 minuta të përllogaritura.
Flavio Qarri: Po, pra supozohej që do zgjaste deri në 4 të mëngjesit.
Albana Vokshi: Do të zgjaste shumë, sepse për çdo diskutim, mund të ketë replika, mund të ketë debate, çdo ministër, pastaj vijnë deputetët për secilin, sektor. Pra, është gjithçka e qëllimshme.
Për më tepër që Taulant Balla dje, në 2 Prill, që ju e dini ç'është, është një ditë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Partinë Demokratike, jo vetëm për Shkodrën, por unë mendoj për gjithë popullin shqiptar, sepse janë katër martirë të cilët ranë. Për çfarë? Ranë për demokracinë, ranë për pluralizmin, ranë për këtë liri që ti kërkon të na e mohosh. Dhe për më tepër, janë vrarë nga kjo parti. Nga këta që flasin. Nga përfaqësuesit e tyre. S'mund të dalësh e të provokosh, të kërkosh një minutë heshtje. Sepse ka edhe rregullorja e përcakton qartë edhe mënyrën se si kërkohet një minutë heshtje.
Flavio Qarri: Pra, edhe aty ka një procedurë, nuk është se bëhet...
Albana Vokshi: Po patjetër ka një procedurë. I dërgohet një shkresë Kryetarit të Kuvendit dhe përcaktohet një orar i caktuar dhe njoftohen të gjithë deputetët, që në këtë orë do mbahet një minutë heshtje dhe deputetët, pjesa më e madhe që janë afër, vijnë dhe marrin pjesë në një minutë heshtje dhe sidomos kur ka lidhje, mund të them unë, me partinë e tyre, po përgjithësisht duhet të gjithë të vijnë për një minutë heshtje në atë parlament sepse janë ose ish-deputetë, ose, persona të rëndësishëm për jetën publike, politike dhe sociale të vendit.
Por nëse e keni vënë re, kush e merr fjalën për procedurë apo për replikë tek Partia Socialiste? Keni vënë re që janë katër, pesë, kryesisht gra,
Flavio Qarri: Po.
Albana Vokshi: Të reja, që ia japin të shkruar se çfarë duhet të thonë.
Flavio Qarri: Me një nivel agresiviteti të çuditshëm.
Albana Vokshi: Ose, disa që nuk kuptojnë dot midis memeve dhe realitetit, dhe ato keqpërdoren. Pra, Rama vazhdon të keqpërdorë gratë e partisë së tij. Sepse asnjëra prej tyre nuk e ka guximin që të dalë jashtë linjës së partisë? Ajo karrikja aty, të cilën e kanë arritur ose nëpërmjet bandave, sepse ka gra aty që janë mbështetur, ju e dini mirë, që janë mbështetur nga banda...
Flavio Qarri: Siç ishte rasti i Gjylametit.
Albana Vokshi: Që janë mbështetur nga bandat kriminale, jo vetëm një, që janë mbështetur. Ka në Fier që janë mbështetur, ka në Elbasan që janë mbështetur nga bandat kriminale.
Flavio Qarri: Kush është përveç Belindës?
Albana Vokshi: Përveç Belindës ka edhe gra të tjera nga Fieri….