Eksperti i antiterrorit ngre alarmin: Korrupsioni dhe krimi po pengojnë zhvillimin e Shqipërisë
Kole Krasniqi, ekspert antiterrori i ftuar në “Kafe Shqeto” tha se fuqia reale e grupeve kriminale në Shqipëri dhe në rajon nuk qëndron tek pasuritë financiare që ato disponojnë, por tek lidhjet e drejtpërdrejta dhe të vazhdueshme me segmente të caktuara të shtetit, duke ngritur shqetësime serioze për nivelin e kapjes së institucioneve dhe ndikimin e krimit të organizuar në vendimmarrjen publike.
Sipas tij, vetëm ato struktura kriminale që kanë arritur të depërtojnë, të influencojnë apo edhe të financojnë elementë brenda institucioneve elitare shtetërore janë në gjendje të operojnë lirshëm dhe të mbijetojnë në afatgjatë, duke krijuar një sistem paralel që sfidon drejtpërdrejt autoritetin e shtetit dhe ligjit.
Ky realitet, theksoi ai, nuk është i kufizuar vetëm në Shqipëri, por shtrihet edhe në Kosovë, ku problematikat mbeten të ngjashme dhe po pengojnë zhvillimin normal të shtetit.
Krasniqi u ndal edhe te projektet strategjike, duke përmendur konkretisht zhvillimin e Porto Romanos, i cili sipas tij ishte konceptuar si një ndër projektet më të rëndësishme ekonomike dhe infrastrukturore për vendin dhe rajonin.
Megjithatë, ai ngriti shqetësimin se vonesat, problemet dhe informacionet e raportuara nga struktura ndërkombëtare, përfshirë edhe institucione të Bashkimit Europian, hedhin hije dyshimi për mundësinë e përfshirjes së grupeve kriminale në sektorë të caktuar të këtij projekti.
Eksperti theksoi se procesi i integrimit europian i Shqipërisë po vlerësohet gjithnjë e më shumë mbi bazën e funksionimit real të institucioneve të drejtësisë dhe aftësisë së shtetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në këtë kuadër, ai e cilësoi nivelin e korrupsionit si shqetësues, duke e përshkruar si një fenomen të përhapur që po frenon zhvillimin ekonomik, politik dhe shoqëror të vendit.
Krasniqi sugjeroi se qeveria duhet të ndërmarrë një ristrukturim të thellë të aparatit shtetëror, veçanërisht në sektorin e sigurisë dhe institucionet hetimore, për të eliminuar çdo ndikim të mundshëm nga grupe interesi apo struktura kriminale.
Deklarata e plotë:
"Këtu është mirë ta kuptojmë të gjithë, se fuqia e strukturave të organizuara kriminale nuk varet nga paratë në të cilat ata disponojnë, po varet nga nga kontaktet e tyre me autoritetet e caktuara shtetërore.
Do të thotë, ato grupe kriminale të cilat kanë arritur me i rekrutuar, me i influencuar, ose me i financuar në mënyrë të vazhdueshme strukturat elitare shtetërore me qëllim që të tolerohet aktiviteti i tyre kriminal, vetëm ato struktura kanë mundësi që të mbijetojnë në kuptimin afatgjatë kohor dhe të operojnë pa frikë nga pushteti në sektorë të ndryshëm natyrisht të ekonomisë, ashtu qysh po ka informacione lidhur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, sepse problemet janë të njëjta.
Kjo për shkak të kontakteve të vazhdueshme ndërkombëtare të autoriteteve të Shqipërisë, për shkak të integrimeve shumë më të fuqishme të Shqipërisë me autoritetet e Bashkimit Evropian dhe ato euroatlantike, Shqipëria, por natyrisht edhe për shkak të interesit vital të disa shteteve perëndimore ndaj bregdetit shqiptar dhe ekonomisë shqiptare, natyrisht se ata e mbikëqyrin me me një interes pak më të shtuar çështjen e Shqipërisë, në raport me çështjen e Kosovës, e cila kohëve të fundit për shkak të konflikteve të mëdha dhe tensioneve të brendshme është lënë pak pas dore.
Projekti i Porto Romanos ashtu qysh është projektuar dhe ashtu qysh është cënuar, ka qenë një projekt krenar për të gjithë shqiptarët e Ballkanit për faktin se është menduar zhvendosja graduale e portit të Durrësit në portin Porto Romano.
Do të thotë edhe aty kishte me qenë një zhvillim i fuqishëm ekonomik, industrial e të tjera e të tjera.
Mirëpo ngecje, investimet dhe problemet e paraqitura janë tejet shqetësuese për faktin se ë mbas edhe informacioneve të caktuara, por ka edhe raporte të caktuara nga Bashkimi Evropian, sidomos nga Europoli, ku mundësia e involvimit të strukturave kriminale dhe natyrisht të sjelljes nën kontroll të disa sektorëve të këtij ose të të gjatë këtij transferi nga Porti i Durrësit në Porto Romano janë evidente.
Unë do t'i thoja që shihni, të gjitha vlerat e Shqipërisë në raport me integrimin e saj në Bashkimin Evropian po maten natyrisht me veprimtarinë e institucioneve të drejtësisë.
Si këshilltar eventual i Ramës, do të kisha pasur guximin t'i thoja që të ristrukturojë aparatin shtetëror, sidomos sektorin e sigurisë, sidomos institucionet hetimore, në drejtim natyrisht të eliminimit të çfarëdo forme ose mundësie të influencimit të tyre nga grupet e caktuara të interesit, për faktin se ka mjaft informacione se shkalla e korrupsionit në Shqipëri, mjerisht edhe në Kosovë, për faktin se kjo është një epidemi e cila nuk kufizohet vetëm në një rajon, është në përmasa shqetësuese dhe po e frenon të gjitha format e caktuara, format e dëshiruar të zhvillimit jo vetëm ekonomik, por edhe politik dhe kulturor nacional.
Prandaj, detyra e parë e autoriteteve shqiptare në interes të ardhmes së popullit shqiptar, në interes të autoritetit kombëtar dhe prestigjit ndërkombëtar të Shqipërisë do të ishte një shtet i fortë, i bazuar në ligjshmëri dhe rregulla e jo në influenca të caktuara të interesit".