Legjenda Hagi drejt stolit të Rumanisë: Si Chivu tek Interi

Pas largimit të Mircea Lucescu-t nga drejtimi i Kombëtares së Rumanisë, mediet vendase raportojnë se favoriti kryesor për ta zëvendësuar është legjenda Gheorghe Hagi. I njohur si “Maradona i Karpateve”, Hagi konsiderohet nga shumëkush si lojtari më i madh në historinë e futbollit rumun.

Ish-trajneri i përfaqësueses U-21, Emil Săndoi, ka mbështetur këtë ide, duke e cilësuar Hagin si zgjedhjen më të natyrshme: “Mendoj se ‘Gică’ e meriton të jetë trajner i Kombëtares. Emri i tij është më i përmenduri dhe zgjedhja më e qartë. Sigurisht që do të ketë presion, sepse në Rumani pritshmëritë janë të larta dhe rezultatet ndërkombëtare kanë shumë rëndësi”.

Ai theksoi se përvoja dhe emri i Hagit mund të jenë një avantazh i madh në këtë rol, duke shtuar se ish-‘ylli’ ka shumë për të ndarë me lojtarët e rinj.

Săndoi bëri edhe një krahasim interesant me Cristian Chivu, aktualisht tek Interi: “Chivu pati avantazhin se fitoi gjithçka me Interin dhe e di çfarë do të thotë suksesi. Edhe Hagi ka një avantazh të ngjashëm falë asaj që ka bërë me Kombëtaren”.

Nëse konfirmohet, emërimi i Hagit do të shënojë një kapitull të ri për Rumaninë, e cila kërkon të rikthehet në nivele të larta në arenën ndërkombëtare.