Barcelona luan ‘tenis’ me Realin në ‘El Clasico’ dhe feston kualifikimin në gjysmëfinale

Barcelona e femrave dhuroi një spektakël të vërtetë në ‘Spotify Camp Nou’, ku ishin të pranishëm mbi 60 mijë spektatorë. duke mposhtur Real Madridin me rezultatin e thellë 6-0 dhe duke siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League.

Ndeshja u zhbllokua shpejt, kur Alexia Putellas përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe realizoi për 1-0. Vetëm pak minuta më vonë, Caroline Graham Hansen dyfishoi shifrat me një goditje me kokë pas asistit të Alexias.

Dominimi i Barcelonës vazhdoi pa ndërprerje dhe goli i tretë erdhi nga Irene Paredes, e cila shfrytëzoi një dalje të gabuar të portieres kundërshtare në një goditje këndi. Pak minuta më pas, Ewa Pajor shënoi për 4-0, duke e mbyllur praktikisht ndeshjen që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, Hansen realizoi sërish, duke shënuar golin e pestë pas një aksioni individual në zonë. Festivali i golave u mbyll nga Esmee Brugts, e cila finalizoi për 6-0 pas një asistimi të bukur.

Barcelona dominoi plotësisht nga fillimi në fund, ndërsa Real Madridi nuk arriti të reagojë në asnjë moment. Një fitore bindëse që konfirmon edhe një herë forcën e jashtëzakonshme të katalanaseve.