Babai i Yamal-it reagon ndaj koreve anti-Islam: Cili është problemi juaj?
Një episod i pakëndshëm ka shoqëruar ndeshjen mes Spanjës dhe Egjiptit, ku në stadium u dëgjuan kore anti-Islam, duke shkaktuar reagime të forta. Në qendër të vëmendjes është vendosur edhe familja e talentit të ri Lamine Yamal.
Babai i tij, Mounir Nasraoui, reagoi publikisht përmes një videoje në Instagram, ku dha një mesazh të qartë për tolerancë dhe respekt: “Rroftë Spanja, rrofshin myslimanët, katolikët, hebrenjtë dhe të gjithë njësoj. Cili është problemi juaj?”, u shpreh ai.
Më tej, ai shtoi: “Nëse respekton, do të të respektojnë”, duke bërë thirrje për bashkëjetesë dhe mirëkuptim mes kulturave dhe feve të ndryshme.
Edhe vetë Yamal reagoi më herët për incidentin, duke theksuar se, edhe pse koret nuk ishin drejtuar personalisht ndaj tij, ato mbeten të papranueshme: “Jam mysliman, falë Zotit. Dje në stadium u dëgjua thirrja ‘kush nuk kërcen është mysliman’. E di që ishte për kundërshtarin, por si mysliman e konsideroj mungesë respekti dhe të patolerueshme”, deklaroi lojtari i Barcelonës.
Pas kësaj ngjarjeje, Yamal ka marrë shumë mesazhe mbështetjeje dhe solidariteti nga figura të njohura të futbollit, si Vinícius Júnior, Paul Pogba, Achraf Hakimi, Marco Asensio dhe Carles Puyol, ndër të tjerë.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rëndësinë e respektit dhe tolerancës në sport, veçanërisht në një skenë globale si futbolli.