Korçë - U gjet i pajetë në banesë, 78-vjeçari është vrarë! U godit në kokë me mjete të forta, shoqërohen familjarët

Detaje të reja nga vdekja e 78 vjeçarit në fshatin Bulgarec të Korçës.

Policia konfirmon se kemi të bëjmë me një vrasje. Nuk ka të bëjë me vdekje për shkaqe natyrore por është ngjarje kriminale.

78-vjeçari, Gëzim Vija u gjet pa shenja jete në banesën e tij mëngjesin e sotëm.

Ai rezulton se është goditur në kokë me mjete të forta, çka i ka shkaktuar vdekjen. Në komisariat janë shoqëruar të gjithë familjarët dhe të afërmit e viktimës ku u janë marrë deklarimet për konflikte të mundshme.

Për të zbardhur dinamikën, motivet dhe autorin/autorët, policia dhe prokuroria po përdorin metoda speciale hetimi.

Hetimet janë përqëndruar në dy pista, atë të vjedhjes me pasojë vdekjen pavarësisht se në banesën e viktimës nuk janë konstatuar vjedhje të hollash apo sende me vlerë, dhe vrasja për motive të tjera.

Në vendngjarje prej mëngjesit ka qenë edhe drejtori i policisë Vilson Bala, shoqëruar nga zëvendës drejtori i krimeve Elton Halili dhe shefi i komisariatit Faik Ruko, për të bërë kqyrjen e vendit të ngjarjes e për të gjetur elementë për zbardhjen e ngjarjes, informon gazetarja e Syri Tv, Sidorela Xhomaqi.