'Çmime Europe me rroga Ballkani', Kedhi: Ndërhyrja e shtetit në treg po rrit çmimet dhe po varfëron shqiptarët
Qytetarët shqiptarë përballen me një realitet ekonomik të hidhur: çmimet e produkteve bazë të shportës, si buka, vezët apo djathi, kanë arritur në 132.5% të nivelit mesatar të Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat mbeten ndër më të ulëtat në rajon dhe kontinent.
Ky paradoks, i cili tkurr çdo ditë fuqinë blerëse të familjeve, nuk është pasojë e një tregu të lirë, por e një tregu të deformuar dhe të kapur nga ndërhyrjet shtetërore që favorizojnë një grusht aktorësh ekonomikë.
I ftuar në edicionin e mesditës në Syri Tv, Nikola Kedhi nga Departamenti “Brain Gain” në Partia Demokratike e Shqipërisë tha se ndërhyrja e vazhdueshme e shtetit në treg dhe favorizimi i një pakice aktorësh ekonomikë kanë deformuar konkurrencën, duke sjellë çmime më të larta për qytetarët dhe paga ndër më të ulëtat në Europë.
Ai theksoi se modeli aktual ekonomik po varfëron shqiptarët, ndërsa zgjidhja qëndron te rikthimi i tregut të lirë dhe vendosja e individit dhe konkurrencës së ndershme në qendër të ekonomisë.
Pjesë nga intervista
Mua më vjen mirë që ju e shtruat në këtë mënyrë pyetjen, sepse kemi mundësinë të tregojmë se si është e vërteta. Pra, të nxjerrim këto mite për atë që janë: mite të rreme. Sepse krijohet kjo ide, falë edhe propagandës së të majtës, që e djathta është për biznesin e madh dhe për të pasurit, ndërsa e majta është ajo që mbron të varfërit. Në fakt, e majta i do aq shumë të varfërit, sa sa herë vjen në pushtet shton numrin e tyre.
Ndërkohë, thelbi i të djathtës është ky: individi në qendër të shoqërisë. Në qoftë se kemi një individ të lirë, me të gjitha të drejtat e tij të patjetërsueshme, që nuk ia ka falur asnjë qeveri, por i ka nga Zoti, nga natyra, pra janë të drejta dhe liri të patjetërsueshme, përfshirë edhe lirinë ekonomike, atëherë çdo shoqëri funksionon mirë. Sepse individi i fortë krijon familjen e fortë, ka mundësi ekonomike dhe ia del vetë; kush është më i zoti ecën më përpara. Pra, kemi barazi mundësish dhe në fund, kush është më i zoti, normalisht do të jetë më përpara.
Kjo përkthehet edhe në teoritë ekonomike, që nga koha e Adam Smith-it dhe të tjerë, të cilët kanë një parim shumë logjik: mekanizmi më i drejtë që përcakton balancën e çmimeve është tregu. Pse? Sepse tregu përbëhet nga një shumëllojshmëri njerëzish, një numër i madh individësh që ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Duke ndërvepruar, pika e balancimit është më e saktë sesa në rastin kur disa burokratë të mbyllur në një zyrë vendosin çmimet. Ose kur disa burokratë lejojnë apo favorizojnë vetëm disa entitete në treg, atëherë nuk arrihet një çmim i balancuar, por krijohet një nivel i deformuar çmimesh, larg balancës mes kërkesës dhe ofertës.
Nëse e lëmë tregun të funksionojë lirshëm, me të gjithë aktorët që janë ose duan të hyjnë në treg dhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin, kjo konkurrencë do të përcaktojë nivelin e balancuar të çmimeve. A ndodh kjo në Shqipëri? Faktet tregojnë se jo. Sepse nuk kemi konkurrencë të drejtë në shumicën e sektorëve, pothuajse në të gjithë sektorët që operojnë në Shqipëri. Qeveria ndërhyn vazhdimisht, favorizon entitete të caktuara dhe kjo bën që të gjithë elementët e tregut të jenë të deformuar.
Për shembull, nëse do të kishte konkurrencë të lirë dhe të ndershme, dhe një aktor tregu—një dyqan apo një shitës—abuzon me çmimet, në një situatë ideale një konsumator do të largohej nga ai tregtar dhe do të shkonte te një tjetër që ofron çmime më të mira. Duke u rritur kërkesa tek ky i fundit, çmimi do të rritej aty dhe do të ulej tek tregtari i parë, duke arritur një balancë. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, sepse shpesh kemi vetëm dy ose tre entitete në një treg të caktuar, si për shembull tregu i hidrokarbureve, apo edhe në tregje të tjera.
Në këto kushte, është më e lehtë që entitetet e mëdha të favorizohen edhe nga shteti dhe të fuqizohen përballë konsumatorit. Si pasojë, fuqia blerëse e konsumatorit zvogëlohet dhe gjithashtu zvogëlohet fuqia negociuese e punonjësve. Nëse disa entitete të mëdha bien dakord mes tyre, punonjësi do ta ketë të vështirë kudo që të shkojë. Ndërsa në një treg me konkurrencë të vërtetë, aktorët do të konkurrojnë për të marrë kapitalin më të mirë njerëzor, duke ofruar paga më të larta. Kjo konkurrencë për fuqinë punëtore rrit vlerën e saj dhe, rrjedhimisht, rrit pagat.
Prandaj e djathta beson se tregu është mekanizmi që vetërregullon gjithçka: rregullon çmimet, rrit pagat dhe nxit inovacionin. Duke lejuar konkurrencën e lirë, rriten incentivat për të qenë më efikasë, për të optimizuar burimet dhe për të ulur kostot. Ulja e kostove çon në ulje çmimesh, ndërsa rritja e pagave rrit fuqinë blerëse të qytetarëve.
Ku jemi sot? Jemi në një situatë ku çmimet në Shqipëri për produkte bazë si djathi, vezët dhe buka janë rreth 132.5% e nivelit mesatar të Bashkimit Europian. Pra, këto produkte janë më të shtrenjta se në vendet e BE-së. Ndërkohë, pagat në Shqipëri janë ndër më të ulëtat në rajon dhe në Europë, dhe qytetari shqiptar ka një fuqi gjithnjë e më të vogël blerëse dhe negociuese, e cila po vazhdon të bjerë.