Italia në krizë, edhe Buffon jep dorëheqjen: Mision i dështuar, është e drejtë të largohem
Kriza në futbollin italian vazhdon të thellohet pas dështimit të rëndë të Kombëtares. Pas largimit të presidentit të FIGC, Gabriele Gravina, dorëheqjen e ka dhënë edhe kapodelegacioni i Italisë, Gianluigi Buffon.
Ish-portieri legjendar ka konfirmuar vendimin e tij për t’u tërhequr, duke e cilësuar si një akt përgjegjësie pas dështimit për të kualifikuar Italinë në Kupën e Botës. Në një deklaratë publike, Buffon theksoi se kishte menduar të largohej menjëherë pas humbjes ndaj Bosnjës në Zenicë, por i ishte kërkuar të priste për të lejuar reflektime brenda federatës.
“Tani që presidenti Gravina ka vendosur të bëjë një hap pas, ndihem i lirë të bëj atë që e ndiej si detyrim. Edhe pse besoj se kemi ndërtuar diçka të rëndësishme në aspektin e grupit dhe shpirtit me Gennaro Gattuso-n dhe stafin, objektivi kryesor ishte kthimi i Italisë në Botëror dhe nuk ia dolëm”, u shpreh Buffon.
Ai shtoi gjithashtu se largimi i tij do t’u japë mundësi drejtuesve të rinj që të zgjedhin lirshëm personin e duhur për këtë rol delikat.
Dorëheqja e Buffonit është një tjetër sinjal i fortë i krizës që ka përfshirë futbollin italian, i cili po përballet me pasoja të rënda pas një tjetër mungese në arenën më të madhe ndërkombëtare. Tashmë pritet një rindërtim i thellë, si në nivel drejtues, ashtu edhe në pankinë.