Pas dorëheqjes së Gravina-s, nis gara për kreun e ri të futbollit italian

Pas dorëheqjes zyrtare të Gabriele Gravina-s, futbolli italian hyn në një fazë vendimtare për të përcaktuar drejtimin e ri institucional. Zgjedhjet për presidentin e ri të FIGC do të mbahen më 22 qershor, ndërsa gara tashmë ka nisur me disa emra të fortë në skenë.

Tre kandidatët kryesorë që shihen si favoritë janë Giovanni Malagò, Giancarlo Abete dhe Matteo Marani. Pak më i tërhequr në këtë garë mbetet Demetrio Albertini, i cili gëzon mbështetjen e lojtarëve.

Malagò duket se ka avantazhin më të madh në këtë moment, duke marrë mbështetje të konsiderueshme nga shumica e klubeve të Serisë A. Ai konsiderohet si një figurë e besueshme falë përvojës së tij në krye të sportit italian dhe suksesit në disiplinat e tjera, veçanërisht në Lojërat Olimpike.

Nga ana tjetër, Abete rikthehet si një alternativë me përvojë, pasi ka drejtuar më parë federatën nga viti 2007 deri në vitin 2014. Edhe pse dha dorëheqjen pas eliminimit të Italisë në fazën e grupeve të Kupës së Botës 2014, ai mbetet një figurë me peshë në futbollin italian.

Ndërkohë, Marani përfaqëson një profil më modern, duke qenë aktualisht në krye të Lega Pro. Ai ka tentuar të ndërmarrë reforma në Serie C, një kategori që përballet shpesh me probleme financiare dhe strukturore.

Në muajt në vijim, kandidatët pritet të prezantojnë programet e tyre, ndërsa futbolli italian kërkon të ringrihet pas dështimeve të fundit në arenën ndërkombëtare.