Bardhi: Shkeljet e mazhorancës po çojnë Kuvendin drejt përplasjeve fizike, deputetet e opozitës u kërcënuan
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës socialiste, duke e akuzuar për shkelje sistematike të rregullores së Kuvendit dhe provokim të qëllimshëm të tensioneve, që sipas tij, rrezikojnë të degradojnë deri në përplasje fizike.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi u shpreh se mazhoranca po shkel në mënyrë sistematike rregulloren dhe të drejtat kushtetuese të opozitës, duke e çuar situatën drejt përshkallëzimit dhe rrezikut për përplasje fizike në sallën plenare.
Ai denoncoi kërcënimin ndaj deputeteve gra të opozitës, provokimet nga përfaqësues të mazhorancës dhe refuzimin e drejtuesve të Kuvendit për të zbatuar rregulloren, si dhe miratimin e projektligjeve pa debat.
Bardhi theksoi se këto veprime synojnë të zerojnë rolin e opozitës dhe të kthejnë Kuvendin në një institucion jofunksional, duke bërë përgjegjës për situatën mazhorancën dhe drejtuesit e saj.
Pjesë nga deklarata:
Në mënyrë të përsëritur, shkelen rregullat për fjalën e deputetëve të opozitës, siç shkelen edhe rregullat për mekanizmat e kontrollit, të cilët janë një e drejtë kushtetuese e opozitës. Sot, në një akt të qartë provokimi, përfaqësuesi i partisë që vrau katër qytetarë të rinj të Shkodrës më 2 prill provokoi deputetët e opozitës, duke fyer familjet e tyre dhe duke kërkuar mbajtjen e një minute heshtje, kur në sallë nuk kishte më shumë se 10 deputetë. Sipas rregullores së Kuvendit, kërkova fjalën për t’iu përgjigjur këtij provokimi dhe për t’i kërkuar kryetarit të Kuvendit që heshtja solemne, në nderim të katër dëshmorëve të demokracisë, të katër njerëzve që dhanë jetën për lirinë e çdo shqiptari, të caktohej në një orar kur të 140 deputetët e Kuvendit të ishin prezentë. Në shkelje flagrante të rregullores, kryetari i Kuvendit nuk na dha fjalën, duke i mohuar një të drejtë grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe duke provokuar një seancë, e cila u ndërpre. Gjatë pushimit të saj, deputete femra të opozitës u kërcënuan nga një njeri që tashmë ka treguar në mënyrë të përsëritur se, për shkak të frikës që ka, zhvillon seanca në Kuvendin e Shqipërisë duke pasur gardistët pranë.
Një frikacak që nuk ka guximin të përballet me burrat në Kuvend. Është seanca e disatë plenare që merret me gratë në Kuvend. Sa i përket asaj që përfaqëson Taulant Balla, ju e keni të qartë të gjithë, ashtu si çdo shqiptar. Por ajo që është shqetësuese është mungesa e kurajos së kryetarit të Kuvendit për të zbatuar rregulloren, për të sanksionuar dhe për të nxjerrë jashtë një njeri që nuk njeh as norma sjelljeje, as moral, as etikë në atë seancë. Siç e patë, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe të rregullores së Kuvendit, duke i mohuar të drejtën për të diskutuar projektligjet, u miratuan shtatë apo tetë projektligje pa asnjë diskutim, pa u dhënë mundësi shqiptarëve të kuptojnë se çfarë po voton sot Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë mënyrë, siç po e katandis Niko Peleshi Kuvendin e Shqipërisë, nuk do të jetë e largët dita kur ky Kuvend nuk do të mund të funksionojë më me palë brenda tij. Sepse, nëse shkelet çdo rregull që garanton minimumin e standardeve të bashkëjetesës në atë sallë, kjo bashkëjetesë bëhet e pamundur.
Unë sot kam listuar një sërë shkeljesh që lidhen me të drejtat e opozitës dhe me përgjegjësitë e kryetarit të Kuvendit. Ne duhet të kishim miratuar një rezolutë për ecurinë e procesit të integrimit. Qeveria ka detyrimin të raportojë brenda datës 31 janar. Nuk e ka bërë, dhe kryetari i Kuvendit nuk guxon t’i thotë qeverisë se ka shkelur ligjin dhe nuk ka raportuar në Kuvend. Ne kërkojmë të drejtën që na njeh Kushtetuta dhe ligji për interpelancë me kryeministrin. Ai nuk denjon të vijë, dhe kryetari i Kuvendit nuk guxon t’i thotë se e ka detyrim kushtetues të paraqitet. Ne kërkojmë informacion nga institucionet për çështje që kanë interes për qytetarët. Nuk marrim përgjigje nga qeveria, dhe kryetari i Kuvendit nuk guxon t’u thotë se po shkelin Kushtetutën dhe ligjin. Në këto kushte, roli i opozitës tentohet të zerohet në Kuvend, dhe ne nuk jemi të gatshëm të pranojmë zerimin e këtij roli. Shkaktar për atë që po provokohet në vijim është mazhoranca, Edi Rama dhe Niko Peleshi.
Hapat do t’i shikoni rast pas rasti. Ajo që po them është se vullneti i grupit parlamentar të Partisë Demokratike është të jetë i angazhuar në përmbushjen e përgjegjësisë që i kanë ngarkuar qytetarët në Kuvendin e Shqipërisë. Ky rol i yni, tërësisht konstruktiv, po pamundësohet për shkak të paaftësisë së kryetarit të Kuvendit për të ushtruar detyrën. Vetëm gjatë ditës së sotme ka thirrur tri herë takime konsultative me kryetarët e grupeve për çështje të ndryshme. Është humbje kohe të diskutosh me Niko Peleshin. Është tërësisht humbje kohe. Mund të biesh dakord në takime konsultative, por në sallë unë përmbush detyrimet e mia si deputet i Kuvendit, deri në pikën kur ai Kuvend të bëhet tërësisht jofunksional. Jo për përgjegjësi të opozitës, por për përgjegjësi të Niko Peleshit. Ajo që po them është se sot kemi një kryetar Kuvendi që nuk e ushtron dot funksionin e numrit dy të shtetit, sepse nuk ka aftësinë, kompetencën dhe kurajon e nevojshme. Është kthyer në një varëse të rëndomtë të Taulant Ballës. Ngren kartonin Taulanti, e ngre i pari Niko, që t’i bjerë në sy Taulantit. Ndërkohë, detyra e tij është t’i qëndrojë strikt asaj që parashikon Kushtetuta dhe rregullorja. Dhe sa kohë që kjo shkelet në mënyrë të vazhdueshme, pa diskutim që do të ketë reagim të opozitës në Kuvend, sepse kjo është detyra jonë.
Nuk duam që Kuvendi të jetë jofunksional. Nuk është zgjedhja jonë. Duam që Kuvendi të jetë funksional, por sipas standardeve minimale. Nuk po kërkojmë maksimumin, por standardet minimale që garantojnë bashkëjetesën në atë sallë. Të drejtat e opozitës janë të drejta të opozitës dhe nuk ka as gojë të Niko Peleshit, as mendje të Taulant Ballës që mund t’ia mohojë opozitës. Sepse ne jemi mandatuar nga qytetarët për të qenë aty dhe për të kërkuar transparencë nga qeveria. Është kryeministri ai që shkel detyrimet e tij kushtetuese, por kjo nuk nënkupton që ne duhet të heqim dorë nga të drejtat tona kushtetuese. Derisa kjo të kthehet në një rregull sjelljeje nga ana e mazhorancës, bashkëjetesa normale mes palëve në Kuvend bëhet e pamundur.
Po e përsëris edhe një herë: sot ka pasur konflikt fizik mes deputetëve gjatë pushimit në seancë plenare. Përgjegjës për këtë është Niko Peleshi. Nëse deputetët përleshen fizikisht në seancë plenare, atëherë ky nuk është më Kuvendi i Shqipërisë. Provokimi i vazhdueshëm i dhunës ndaj opozitës në Kuvend duhet të mbajë përgjegjësi. Dhe unë sot mbaj përgjegjës dy individë: Edi Ramën dhe Niko Peleshin, i cili, për fat të keq, nuk e ka përmbushur asnjë ditë detyrën si kryetar i Kuvendit.