Nxiti sherre në seancë qëllimisht/ Balla urdhëron Peleshin të miratohen projektligjet pa diskutime

Në seancën plenare të zhvilluar ditën e sotme, mazhoranca ka miratuar e vetme një sërë projektligjesh, në një atmosferë të tensionuar, e cilia u stis nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, me qëllim kalimin në votim të projektligjeve pa debate dhe diskutime nga deputetët.

 Kreu i GP të Partisë Socialiste kërkoi që të mbylleshin debatet dhe të vijohej me votimin e projektligjeve pa diskutime. Kërkesë e cila, afërmendsh, u miratua menjëherë nga Niko Peleshi.

Votimi është kryer ndërsa opozita ndodhej në foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar procedurat. Seanca e sotme është karakterizuar nga kaosi dhe debatet, me përplasje verbale mes deputetëve të dy krahëve politikë, ku si vazhdimisht është vërejtur mohimi i fjalës së opozitës.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës dhe klimës së tensionuar, mazhoranca ka vijuar me procesin e votimit përmes forcës së kartonëve, duke miratuar projektligjet pa pjesëmarrjen e deputetëve opozitarë.