'Goditini me armë, zini lartësitë me qitës', Këlliçi zbardh në Kuvend urdhrin tronditës të Gramoz Ruçit për 2 prillin 1991

Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka akuzuar në Kuvend kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për përdorim të gjuhës fyese dhe seksiste ndaj deputetes Albana Vokshi, duke theksuar se ndaj tij nuk është marrë asnjë masë disiplinore.

Këlliçi kritikoi gjithashtu përjashtimin e deputetëve të opozitës nga seancat parlamentare, duke e cilësuar këtë si standard të dyfishtë nga ana e mazhorancës.

Në fjalën e tij, ai e konsideroi provokim përmendjen e dëshmorëve të 2 prillit 1991 në Kuvend, duke thënë se kjo përbën fyerje për familjarët e viktimave. Deputeti demokrat solli në vëmendje edhe deklarata të familjarëve që kërkojnë drejtësi për ngjarjen.

Më tej, Këlliçi ngriti akuza ndaj Gramoz Ruçi për rolin e tij si ministër i Brendshëm në vitin 1991, duke theksuar se përgjegjësit për ngjarjet e 2 prillit nuk janë vënë ende përpara drejtësisë.

Ai akuzoi mazhorancën për provokime të qëllimshme që synojnë prishjen e normalitetit të seancave dhe shmangien e debatit për çështjet kryesore.

Këlliçi:

Para dy javësh, Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së, ka fyer me gjuhën më banale, ordinere dhe seksiste deputeten Albana Vokshi, kryetaren e Lidhjes së Gruas dhe zëvendëskryetaren e organizatës së grave të Partisë Popullore Evropiane. Keni patur reagim nga vetë Partia Popullore Evropiane, nga një sërë organizatash në vend. Nuk keni ndërmarrë as edhe një masë, as edhe një vërejtje për Taulant Ballën dhe shkuat dhe përjashtuat deputetët e opozitës, përjashtuat kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, edhe sërish edhe Klevisin mbasi kishte ardhur pas tre muajsh përjashtimi.

Vijmë në këtë seancë, në 2 prill. Në qishe një mënyrë të vetme për të prishur seancën e sotme, ishte të ndodhte ky provokim. Të dali Taulant Balla dhe të përmendi këtu emrat e katër dëshmorëve të 2 prillit, është fyerje për ato familje. Meqë keni merakun e familjarëve dhe të heronjve të 2 prillit, më lejo të citoj Maja Cekën, të jëmën e Besnik Cekës, më 2 prill 2019, që ta dini se kush është Partia Socialiste dhe Gramoz Ruçi, që kërkon sot një minuteshje për 2 prillin.

Ka thënë zonja në fjalë: 'Ne duam drejtësi. Drejtësi në Shqipëri as nuk është vënë dhe as nuk do të vihet. Ne duam urdhërdhënësin.

Dihet kush dha urdhër që të nxirren nga reparti ushtarak tanket dhe kush është autori i vrasjes, Gramoz Ruçi, si ministër i Brendshëm në atë kohë. Edi Rama nuk e ka përmendur një herë 2 prillin. Ata nuk kanë qenë zogj pllumbash për fëmijë nënash. Gramoz Ruçi të mos dalë më në parlament. Një autor vrasjesh të drejtojë parlamentin e dalë nga populli, nuk është e drejtë. Ai është autori i vrasjes së katër djemve tanë dhe 70 plagosurve. Ai dikur do e lajë atë gjak, se gjaku nuk humb, përvlon.'

Meqë kishit merakun e Gramoz Ruçit, urdhri i firmosur nga Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës, tekstualisht, tekstualisht shkruan, në 2 prill të vitit 1991.

'Për të vepruar me forcën e shkopit, nuk ka askush arsye të presë përgjegjësin. Për të paralizuar ata që turmat mund të godasin, goditini me armë nga forcat tona. Zini lartësitë dominuese me qitës të përgatitur. Forcat tona që përleshen me turmat mos të shkojnë të paarmatosura'- shkruhet në urdhrin e Gramoz Ruçit në 2 prill të '91-it dhe ky individ këtu del dhe sot në mënyrën më të turpshme provokon këto familje dhe opozitën shqiptare.

Nuk kishte mënyrë tjetër si të prishej një seancë që po ecte në normalitet të plotë? Opozita ishte ajo që fliste përsa i përket projektligjeve, temave të ditës dhe ndërkohë e vetmja mënyrë si mund të prishej ishte të çohej ky sharlatan dhe të provokonte familjet e 2 prillit '91.