VIDEO-Kërcënimi i Ballës ndaj deputetes së PD/ Topalli-Peleshit: Kape dhe nxirre përjashta…

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, akuzoi mazhorancën për kapjen e institucioneve dhe degradimin e funksionimit parlamentar.

Në fjalën e saj, ajo kritikoi mënyrën se si drejtohen seancat plenare, duke theksuar se rregullorja zbatohet në mënyrë të njëanshme kundër opozitës, ndërsa denoncoi gjuhën e përdorur dhe, sipas saj, kërcënimet ndaj deputetëve, duke kërkuar masa të menjëhershme për ruajtjen e etikës dhe rendit në sallën e Kuvendit.

Jozefina Topalli: Zoti kryetar i Kuvendit. Kryetari i Kuvendit kur drejton seancat plenare, ka një rregullore e cila nuk ka vetëm një nen, që dënon gjithmonë vetëm deputetët e opozitës. Ju keni të gjitha pushtetet. S'keni vetëm supermazhorancë të marrë ashtu siç e keni marrë. Ju keni të gjithë institucionet e pavarura, keni drejtësinë, keni paratë, keni bankat, i keni të gjitha. Jeni të gjithë investitorë strategjikë.

Është e mira që të mbash rregull në këtë, nëse mund të quhet parlament, që për mua e ka humbur misionin që në krijimin e tij, që të shohësh të gjitha nenet e rregullores.

Nuk është normale dhe nuk ka ndodhur kurrë që një nënë e dy fëmijëve, fëmijët e së cilës janë kërcënuar nga bandat gjatë fushatës elektorale, të fyhen me një fjalor aq vulgar sa as në shpellat e mafies nuk përdoren sepse ato kanë një kod. Nuk ka ndodhur kurrë në parlamentin e Shqipërisë që një mamë tjetër e re, me dy fëmijë të vegjël, të kërcënohet gjatë seancës plenare e t'i thuhet që 'do të tregoj unë ty'. Nuk ka ndodhur kurrë që deputeti të provokojë mbi dhimbjen e vrasjes së katër dëshmorëve të demokracisë. Nuk ka ndodhur kurrë që të provokosh dhimbjen jo thjesht të katër familjeve, por të një qyteti dhe të një shoqërie dhe të një gjaku që është vendosur në bazën e një sistemi që ne do ta ndërtonim me të metat e të mirat në tre dekadat e ardhshme. Por kur një burrë provokon mbi të vdekurit dhe merret vetëm me gra, ka vetëm një shprehje për të. Merre zoti kryetar. Kap, e përzëre jashtë.