Peleshin e urdhëron Balla, mbyll seancën/ Noka: Jeni ushtarë, keni vënë një kryebandit në krye
Seanca parlamentare u përfshi nga tensione të larta pas një fjalimi me akuza të forta nga deputeti i opozitës, Flamur Noka, drejtuar mazhorancës socialiste. Situata eskaloi deri në ndërprerjen e fjalës së tij dhe bllokimin e foltores së Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti Noka lëshoi një sërë akuzash të rënda, duke e cilësuar mazhorancën si “ushtarë të vrasësit të Ravik Gurrës” dhe duke iu referuar çështjeve të njohura si “Toyota Yaris” dhe emrave të lidhur me botën e krimit si Suel Çela. “Nga ushtari i Ramës, je shndërruar ushtar i vrasësit,” deklaroi ai, duke shtuar se mazhoranca është shndërruar në një “bandë me një kryebandit në krye”.
Peleshi i ndërpreu fjalën dhe i dha një masë disiplinore “vërejtje”. “Fjala juaj nuk është për procedurë dhe ndërpritet tani menjëherë,” u shpreh Peleshi, ndërsa i hoqi të drejtën e fjalës.
Pas këtij momenti, deputetë të opozitës u ngritën dhe bllokuan foltoren, duke pamundësuar vazhdimin e seancës.
Noka: Mos më kërcet mua, po dëgjo tani, se çfarë tërheq ti. Tërhiqe ato 60 mega atje në kolonjë dhe pastaj hajde tërhiq gjëra të tjera. Se ato të mbajnë peng dhe për fat të keq, nga ushtari i Ramës, numri dy i shtetit, je shndërruar ushtar i vrasësit të Ravik Gurrës. Ka gjë më të neveritshme se kjo? Nuk i ka ndodhur kurrë këtij parlamenti kjo që po i ndodh tani.. Tani, të flas këtu dhe të përfaqësoj të ashtuquajturën mazhorancë, personi 009. Të flas këtu në emër të popullit të mazhorancës, që është mazhorancë. Toyota Yaris, koordinatori i trafikut të drogës me Toyota Yaris, të flas këtu, në emër të popullit, dhe të përfaqësojë pushtetin dhe mazhorancën, ushtari i Suel Çelës, të flas këtu personi 009 i cili gjendet në të gjitha dosjet që Britania e Madhe disponon për trafikun e drogës. Të flas këtu personi i cili gjendet në dosjet e Brukselit për trafiqe, këtu tregon që ju jeni katandisur jo më përfaqësues të popullit, po jeni thjesht bandë dhe keni vënë një kryebandit në krye të grupit, sikur jeni dhe kundër shtetit.