I kërkuar për kultivim të bimëve narkotike, arrestohet 63-vjeçari në Vaun e Dejës

Policia e Shkodrës këtë të enjte ka vënë në pranga një 63-vjeçar, pasi ishte shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.

Sipas raportimeve nga policia, në pranga ka rënë shtetasi M. B., 63 vjeç, i cili në muajin gusht 2025 në fshatin Qerret kishte kultivuar 130 bimë narkotike.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kapën dhe ndaluan shtetasin në kërkim M. B., 63 vjeç, banues në fshatin Qerret, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas ka kultivuar në fshatin Qerret, 130 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë, në muajin gusht të vitit 2025″, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.